Carlos Santana ka anuluar një tjetër koncert në shtetin e Teksasit, këtë herë në qytetin Sugar Land, pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Lajmi u bë i ditur përmes faqes zyrtare të muzikantit në Facebook, ku njoftohet se kitaristi legjendar do të qëndrojë në hotelin e tij për t’u rikuperuar. Koncerti ishte pjesë e turneut të tij “Oneness Tour” dhe ishte planifikuar të mbahej në Smart Financial Centre.
Ky është koncerti i dytë që anulohet në Teksas, pas anulimit të shfaqjes në San Antonio më 22 prill. Fillimisht, menaxheri i tij, Michael Vrionis, kishte bërë me dije se Santana, 77 vjeç, kishte shfaqur simptoma dehidratimi, sipas agjencisë AP, por disa orë më vonë konfirmoi se kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.
Turneu, i cili nisi më 16 prill në Kaliforni, pritet të vazhdojë të premten në Thackerville, Oklahoma dhe të shtunën në Tulsa. Koncertet e anuluara në Teksas do të riprogramohen sa më shpejt të jetë e mundur.
“Faleminderit për urimet dhe kujdesin e të gjithëve. Carlos mezi pret t’ju shohë të gjithëve shumë shpejt. Ju lutemi mbani biletat tuaja,” thuhet në njoftimin në Facebook.
Javën e ardhshme, muzikanti i njohur pritet të performojë në Nashville dhe në Festivalin e Jazz-it dhe Trashëgimisë në New Orleans, përpara se të rikthehet në skenën e Las Vegas-it.