Ballina Kulturë 32 vjet nga vizita e Papa Gjon Pali II në Shqipëri

32 vjet nga vizita e Papa Gjon Pali II në Shqipëri

24
0

Më 25 prill të vitit 1993, rreth orës 08:00 të mëngjesit, Papa Gjon Pali II arriti në Aeoroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i pritur nga autoritetet zyrtare shqiptare. Pasi përshëndeti të pranishmit me dorë, Papa Gjon Pali II u ul në gjunjë dhe puthi tokën shqiptare. Ai iu drejtua popullit shqiptar me fjalët: “I dimë të gjithë ngjarjet e trishtueshme që është dashur të përballoni veçanërisht në 25 vjetët e fundit, vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit koha me vështirësi do të arrijë t’i fshijë”.

Më tej, kreu i Selisë së Shenjtë u nis drejt qytetit të Shkodrës, ku u prit përzemërsisht edhe prej banorëve të rrethinave të qytetit. Papa Gjon Pali II hyri në Katedralen e Shkodrës, i pritur nga mijëra besimtarë katolikë e të besimeve të tjera fetare dhe shkoi para altarit për fillimin e meshës.

Në mesazhin e Papa Gjon Palit II u theksua e kaluara e vështirë që kishte përjetuar kisha katolike gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri. Më pas, ati i shenjtë shuguroi katër ipeshkvë të rinj shqiptarë, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Zef Simoni, Monsinjor Rrok Mirdita dhe Monsinjor Robert Ashta.

E para që u kungua nga Papa Gjon Pali II, nën tingujt e muzikës kishtare, ishte humanistja me origjinë shqiptare Nënë Tereza.

Papa Gjon Pali II u dhuroi besimtarëve të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, figurën e Zonjës së Këshillit të Mirë dhe bekoi gurin e themelit të këtij kulti, që do të rindërtohej për të tretën herë në Kalanë e Rozafës në Shkodër. Nga dritarja e arkipeshkopatës së Shkodrës, Papa përshëndeti të gjithë besimtarët që kishin mbushur rrugët dhe sheshet e Shkodrës.

Në të njëjtën ditë, Papa Gjon Pali II u kthye në Tiranë dhe u prit nga personalitetet më të larta të shtetit dhe të komuniteteve fetare në Shqipëri në mjediset e Pallatit të Brigadave.

Në vazhdim, shkoi në Nunciaturën Apostolike dhe më pas zhvilloi një shëtitje në sheshin “Skënderbej” ku ishin mbledhur mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria. Në mitingun madhështor të organizuar me këtë rast, Papa Gjon Pali II zuri vend në podiumin e vendosuar para Muzeut Historik Kombëtar. Ai iu drejtua popullit shqiptar me fjalët: “Vëllezër dhe motra shqiptarë dhe fort të dashur! Zoti e ruajtë atdheun tuaj. Zoti e mbrojtë popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj!”

21 vjet pas vizitës së Papa Gjon Pali II, vendi ynë u vizitua nga Papa Françesku, me 21 shtator të vitit 2014./atsh