Ballina Ekonomia BSH: Çmimet e banesave u rritën me 44.5 për qind në gjysmën...

BSH: Çmimet e banesave u rritën me 44.5 për qind në gjysmën e dytë të vitit të kaluar

28
0

Çmimet e banesave në shkallë vendi u rritën me 44.5 për qind në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit 2023. Banka e Shqipërisë raportoi se çmimet e apartamenteve vazhdojnë të rriten me ritme të jashtëzakonshme, veçanërisht në kryeqytet.

“Pas rënies në periudhën e mëparshme, vrojtimi tregon se Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi u rrit me 23.6% në terma gjashtëmujorë, dhe me 44.5% ndaj një viti më parë. Rritja e vlerës së indeksit për Tiranën ishte gjithashtu e fortë,” deklaroi BSH në raportin e Stabiliteti Financiar.

Banka e Shqipërisë thekson se rritje ka patur edhe për çmimet e qirasë, ndërkohë që agjentët e tregut ruajnë një vlerësim pozitiv në lidhje me ecurinë e tregut të banesave në periudhën afatshkurtër, dhe mbeten optimistë për zhvillimet në një periudhë më afatgjatë.

“Numri i pronave të pashitura ka vijuar të bjerë për disa gjashtëmujorë radhazi, dhe koha mesatare e shitjes është shkurtuar lehtë, për shkak të rënies së kohës së shitjes për pronat e shitura në kryeqytet,” raporton BSH.

Sipas vrojtimit të posaçëm të Bankës së Shqipërisë, kërkesa e përgjithshme për blerje në tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar ka qenë e qëndrueshme, ndërkohë që kërkesa nga jorezidentët ka shënar një rënie të lehtë.

“Rritja e kredisë bankare për blerje dhe zhvillim pasurish të paluajtshme ka mbështetur qëndrueshmërinë e kërkesës. Bankat kanë shtrënguar disi standardet për këtë lloj kredie dhënë individëve,” thuhet në raport.

Në tërësi, rritja e ofertës së njësive të banimit, sipas numrit të lejeve të ndërtimit, ishte më e ulët në krahasim me një vit më parë, por sipërfaqet për ndërtimet e reja paraqiten më të mëdha. Kostot e ndërtimit janë rritur, kryesisht për shkak të rritjes në shpenzimet për paga, energji dhe transport.