Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës e të vëllazërimit.
Maria Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit e të dinjitetit njerëzor e femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial komunist që e burgosi dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes. Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi i saj tokësor për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin dot në dinjitetin, në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një thes bashkë me një mace duke e goditur vazhdimisht.
Në gjendje të rëndë, për shkak të torturave dhe kushteve çnjerëzore të qelisë me numër 13, më 28 tetor 1950 Marie Tuci ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës në moshën 22 vjeçare. Ajo la pas një jetë plot vuajtje, qëndresë dhe përkushtim ndaj besimit. Marie Tuci ishte një kundërshtare e regjimit komunist në mbrojtje për lirinë e fesë, arsye për të cilën u arrestua, torturua dhe ndërroi jetë prej tyre. Lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë. Ndonëse në periudhë të vështirë, familja e Maries mposhti paragjykimet dhe e shkolloi të bijën. Pasi përfundon shkollën në vitin 1946, abati Frano Gjini, e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës. Njëkohësisht Maria i futet edhe rrugës së besimit, duke qenë gjithnjë e më shumë pranë Kishës Katolike, ku edhe po shërbente.
Marie Tuci arrestohet më 10 gusht 1949, në kohën që si probande pritej t’i bashkohej urdhrit të motrave stigmatine si murgeshë. Pas një raprezalje të sistemit komunist të asaj kohe, lindur nga ekzekutimi i Bardhok Bibës sekretar i partisë komuniste në Mirditë, familjet më të dëgjuara të kësaj zone u dënuan, përfshi dhe ajo e Gjonmarkajve së cilës Maria i përkiste. Marie Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibës. E marrin dhunshëm dhe e dërgojnë në dhomat e tmerrshme të hetuesisë. Torturohet personalisht nga shefi i hetuesisë së Shkodrës Hilmi Seiti. Torturat më çnjerëzore ndaj Marie Tucit që u panë nga dhjetëra dëshmitarë ishte që pasi e zhveshën e futën në një thes bashkë me një mace të egër, duke e lënë aty për një kohë të gjatë. Seiti dhe hetuesit e tjerë e dhunojnë sërish me mjete të forta, aq sa Maria dërgohet në gjendje të rëndë në spital, ku pas disa ditësh, më 28 tetor 1950 vdes si pasojë e dhunës fizike dhe psikologjike. Më vonë, pas rënies së diktaturës ateiste komuniste, Maria Tuci përkujtohet në Shkodër dhe Mirditë si një grua me dinjitet të lartë e të pathyeshëm, që nuk iu dorëzua epsheve të funksionarëve të sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur në qelitë e errëta të komunizmit.
Bukuria e saj vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve të pushtetshëm, dinjiteti i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci nuk u përkul në asnjë moment duke i treguar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte një grua shqiptare plot dinjitet e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e të përjetshme. Jeta e Marie Tucit ishte një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar.
Ajo donte të behej murgeshë, t’i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës. Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet për shfarosjen e katolikëve shqiptarë, që përbenin një rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marie Tucit, u shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen. U shpall e Lume, së bashku me 28 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, në Shkodër më 5 nëntor 2016.
Dëshmia
Qëndrimi fisnik i vajzës mirditore para hetuesve të ishSigurimit të Shtetit. Marie Tuci, e nis dëshminë e saj në hetuesi në tetor të vitit 1949: “Quhem Marie e bija e Nikollës, gjallë dhe e Dilës, gjallë. E datëlindjes 1928 banuese në katundin Ndërfushas, rrethi i Rreshenit. E pamartueme, shtëpiake, me profesion student. E paarrestuar ose dënuar ndonjëherë”. Nën torturat çnjerëzore të hetuesit Reshat Metohiti, vajza nga Mirdita, nuk u dorëzua deri sa pas disa muajsh tortura dha shpirt në hetuesi.
Në dosjen e Sigurimit të Shtetit, marrë nga AIDSSH, është pasqyruar jeta e Marie Tucit para se të arrestohej, por atje nuk gjenden gjurmët e torturave të pashembullta të Sigurimit të Shtetit ndaj saj. Rrjedh nga një shtresë e mesme fshatare dhe aktivitetin e kryer kundra pushtetit popullor dhe shtetit deklaron si më poshtë: “Unë Maria në vjetin njëmijë e nanqind e dyzet, jam shkëputur nga familja që banonte në katundin Ndërfushas dhe kam ardhe në Shkodër me qëllim për të vazhdue shkollën në vjetin nanqind e dyzet e një. Kam kaluar tri klasat e para të fillores dhe mandej kam vazhdue me rradhë deri në fundin e fillores deri në vjetin nanqind e katërrdhet e tre.
Në vjetin dyzet e katër jam futur në normale dhe në atë kohë kam mbarue të parën dhe të dytën për nji vjet, kam vazhdue kështu në të tretën normale. Për arsye shëndetësore jam largue nga shkolla në vjetin njëmijë e nanqind e dyzet e gjashtë. Jam largue nga shkolla dhe jam kthyer në fshat ku kam vazhdue me punë shpie. Në mbarim të dyzet e gjashtës e deri në prill të dyzet e shtatës kam drejtue punët e rinisë në fshat dhe në prill të dyzet e shtatës kam fillue si mësuese në fshatin Gojan, në rrethin e Pukës. Këtu kam qëndrue deri në prillin e dyzet e tetës.
Në këtë kohë jam pushue nga arsimi me këtë motivacion: familja jeme nuk kishte qëndrue mirë politikisht. Prej asaj kohe e deri në gushtin e dyzet e nandës kam qëndrue në shpi si shtëpiake… “ shkruhet në dëshminë e Marie Tucit në hetuesi. Më pas hetuesi vazhdon me pyetjet për të vijuar me një proces të stisur me akuza për vepra penale kurrë të kryera… deri në momentin kur gjykata vendos ta dënojë me 3 vjet heqje lirie për veprimtari kundër pushtetit popullor. Por nuk mbaron këtu. Shefi i hetuesisë së Shkodrës, Hilmi Seiti, do të aplikonte torturat më çnjerëzore ndaj vajzës tërheqëse, vetëm 22-vjeçare, pasi përgjatë hetuesisë kishte ndeshur në rezistencën fisnike të saj. Në mënyrë demonstrative e nxorën nga qelia dhe në oborrin e hetuesisë e zhveshën dhe e futën në një thes bashkë me një mace të egër. Klithje nuk nxori, pavarësisht dhimbjes nga torturat dhe çjerrjet deri në kockë nga kafsha e egër që ngulte kthetrat në trupin e saj për të gjetur shpëtim. Pas dhunës edhe nga duart e hetuesve të tjerë, Marie Tuci dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Shkodrës.
Kushdo që e pa atë ditë shtangu. Tuci ishte transformuar, por sytë ende i shkëlqenin se nuk u dorëzua kurrë, ndërsa, sa mundi, pëshpëriste se jetën ia kishte dhuruar Zotit. Në ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e ka njohur. Asaj, Maria i ishte shprehur se shefi i Sigurimit e kishte çuar deri ne fund fjalën e tij kur i kishte thënë se “do të katandis aq sa të mos njihesh”. Vdiq më 24 tetor 1950 nga torturat e e rënda fizike dhe psikologjike.
Martirja e kishës
Marie Tuci është gruaja e vetme mes 38 martirëve të Kishës Katolike që janë shenjtëruar nga Papa Françesku. Historia e saj është në kufijtë e së pabesueshmes, ku në moshën 22-vjeçare u masakrua nga hetuesit komunistë, që për këto krime të rënda rriteshin në detyrë, duke lënë pas mijëra viktima, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se donin lirinë. Në një nga rrugicat e vjetra të qytetit të Shkodrës, në lagjen “Gjuhadol”, gjendet kuvendi i motrave stigmatine. Si shumë kisha dhe kuvende të tjera në Shqipëri, gjatë regjimit komunist, kuvendi u mbyll dhe u shndërrua në klub për të rinjtë. Gjatë regjimit komunist ka pasur edhe motra të tjera, si dhe gra laike që kanë vuajtur në tortura gjatë komunizmit, por Marie Tuci është ngritur në elter bashkë me martirët e tjerë për besimin me të cilin ka motivuar dhurimin e jetës së saj, çfarë është një shembull veçanërisht për të rinjtë që të ecin në rrugën e besimit. Në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, hapur në ish burgun dhe hetuesinë e Shkodrës, ruhet ende qelia ku 22 vjeçarja Marie Tuci kaloi ditët e fundit të jetës. Laikja Marie Tuci u shpall e Lume së bashku me 37 martirë të tjerë të kishës katolike shqiptare, më 5 nëntor 2016 duke u shndërruar në një simbol qëndrese dhe përkushtimi për fe dhe atdhe.