Nga Denis Dyrnjaja
Apartamenti i konfiskuar prej 60 m² i ish Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është shumë i vogël për të mos thënë se ngjan si një pikë uji në oqeanin e pasurive të paligjshme korruptive e të paprekura nga ligji, që sot kolegë apo ish kolegë të tij vazhdojnë t’i gëzojnë pa patur asnjë shqetësim. Pra nëse nuk mbahet i njëjti standard për të gjithë kontingjentin e përjashtuar nga sistemi drejtësisë për mosjustifikim pasurie, atëherë i bie të thuhet shprehja u mbars mali e polli një mi në drejtësi.
Muret e apartamenti 60 m² të ish kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja janë shumë të holla e të brishta për të mbajtur dhe justifikuar gjithë peshën pasurore e të paligjshme të ish kolegëve të tij. Të gjithë kujtojnë orët, bizhuteritë apo veshjet e shtrenjta mijëra euroshe, automjetet luksoze apo apartamentet në kryeqytet e vilat në mal e bregdet, të tregtëtarëve të sh’drejtësisë së 30 viteve që u shfaqën publikisht dhe shumë serbes, vetëm pak vite më parë në një konferencë kombëtare për drejtësinë.
Prokurorë e gjykatës ende në sistem e të paprekur nga vetingu, ishin bërë bashkë në një sallë ku gëlonte luksi i rënduar dhe i shfrenuar. Ishte si të shihje një konferencë pasanikësh në Monte Carlo, jo magjistratësh në Shqipërinë e dalë nga skamja e diktaturës vetëm pak vite më parë. Si shpjegohet që nuk mbahet i njëjti standard për këta ish prokurorë e ish gjyqtarë që e nisën karrierën nga dhomat e konvikteve me valixhe druri e një palë rroba për dimër e një palë për verë dhe e mbyllën, duke i nxjerrë nga vetingu për pasuri të pajustifikueshme, por ende të pakonfiskuara miliona euroshe?!
A do të vazhdojë Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme (GJKKO) të mos shohë pasuritë e këtyre ish magjistratëve, që thonë se i kanë produkt trashëgimie apo dashamirësie dhuruese nga kushërinjtë, familjarët apo nga puna në emigrim?! Bashkim Dedja ish anëtar dhe më pas kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe në vlerësimin e informacionin tim personal, futet tek njerëzit më korrekt që ka patur sistemi i drejtësisë dhe i penalizuar për një apartment një dhomë e një kuzhinë në plazh. Po shume mirë u gjet e pajustifikueshme në burime financiare u konfiskua. Por ngjan disi cinik ky vendim, kur kujton çfarë batërdie korruptive kanë bërë ish kolegët, por edhe kolegë të tij që vijojnë të jenë ende në sistem falë makinacioneve me justifikime të pabesueshme, por të pranueshme si arsye ligjore për t’i shpëtuar vetingut apo sekuestrimit e konfiskimit nga shteti të pasurive marramendëse.
SPAK-u nëse do të krijojë besim se nuk i trajton ca si të nënës e ca të njerkës, i futet këtij procesi me themeli dhe konfiskon çdo pronë të njerëzve që vetingu i përjashtoi nga sistemi por edhe atyre që ka ende në sistem. Pra atë që nuk e bëri siç duhej vetingu duhet ta bëjë prokuroria e posaçme. SPAK-u duhet të hetojë edhe gjithë emërimet dhe transferimet që ka kryer në të gjitha kohërat Këshilli i Lartë i Drejtësisë sepse aty ka kutinë e Pan’dorës së korrupsionit që ka shkatërruar dhe deformuar shtetin, drejtësinë dhe në kontekst më madhor edhe demokracinë. Gjyqtarët me mburojë politike dhe në shërbim të saj, kanë marrë jo vetëm vendime të padrejta, por edhe me prapavijë korruptive të mirëfilltë. Ka qenë pikërisht ky sistem drejtësie që kishte çmime për emërime e transferime në prokurori e gjykata sipas qyteteve dhe nivelit dhe pozicionit të kërkuar.
Kishte sekserë dhe një rrjet të tërë të mirëorganizuar që kontrollonte gjithçka për të kthyer në përfitime vendimet që kanë mohuar apo shtrembëruar drejtësinë në çështje penale e civile, ku pa droje mund të thuhet se barbaria që ka ndodhur me pronësinë dhe mbi pronësinë në Shqipëri, ka për pamje, fytyrën e shpërfytyruar korruptive të sistemit të drejtësisë me gjyqtarë të majmur nga dallaveret e vendimeve të tyre të pista. Është koha që pasuria e përfituar padrejtësisht t’i kthehet shtetit si detyrim për abuzimin me detyrën e lartë e të respektuar që nga lashtësia të magjistratit.
Nëse do të krijosh besim, pastrimi fillon nga vetja, pra nga trupi i kontaminuar korruptiv i drejtësisë së djeshme dhe asaj të sotme që bashkë me vetingun e kaluar në mënyrë të dyshimtë nuk ka marrë edhe certifikatën e imunitetit antikorrupsion. Shëndeti i një shoqërie fillon nga trupa e drejtësisë.