Ballina Sport Skitarja 18 vjeçare vdes pas një aksidenti në stërvitje

Skitarja 18 vjeçare vdes pas një aksidenti në stërvitje

22
0

Skitarja franceze ka ndërruar jetë në moshën 18-vjeçare pas një aksidenti gjatë stërvitjes në Val d’Isère ditën e enjte.

Adoleshentja ishte duke u përgatitur për një garë të Red Bull në disiplinën alpine që do të mbahej këtë fundjavë në Francë, kur pësoi një rrëzim të rëndë.

Një mjek u përpoq ta reanimonte Simond, por fatkeqësisht nuk mundi ta rikthente në jetë.

Detajet e plota rreth vdekjes së Simond ende nuk janë bërë të ditura.

Simond, e cila në muajin mars u shpall kampione në disiplinën slalom për grupmoshën U18, konsiderohej si një nga shpresat më të mëdha në skitarinë franceze për moshatarët e saj.

Federata Franceze e Skive deklaroi se komuniteti i skitarisë është “thellësisht i prekur dhe i pikëlluar nga ndarja e Margot-së”.

“Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të dashurit e saj, dhe u ofrojmë mbështetjen tonë të plotë në këto momente tepër të vështira,” thuhet në deklaratë.

Federata Ndërkombëtare e Skive dhe Snowboardit (FIS) e përshkroi Simond si “një sportiste të re me shumë premtime”.

Ajo shtoi: “FIS i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Margot dhe të afërmve të saj, dhe u ofron mbështetjen e saj të plotë në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë.”

Komiteti Olimpik Francez gjithashtu shprehu ngushëllime për humbjen e “një talente premtuese të skive alpine” dhe “një atleteje të re dhe të talentuar”.

Si pasojë e kësaj tragjedie, eventi i Red Bull në skitë alpine i planifikuar për këtë fundjavë është anuluar.