Vlora po përgatitet për nisjen e sezonit turistik. Operatorët turistik të qytetit tregojnë se prenotimet janë të larta, duke i dhënë shpresë për një sezon të mbarë. Pranvera kryesisht është e prenotuar nga vizitorë të huaj që preferojnë Vlorën për të pushuar.
“Normalisht që pronotime kemi në këtë periudhë në pranverë vijnë më shumë nga Gjermania, anglez, zvicerian, nga këto vende që janë agjensi që i kanë të përfshira të gjitha të përfshira, kurse në sezon nga çdo vend i botës”, tha Luixhino Isufaj, operator turistik.
Prenotimet në muajt e verës sipas operatorëve turistik janë drejt ezaurimit, ndërsa e veçanta e këtij sezoni janë kërkesat e turistëve nga vende të largta aziatike dhe afrikane.
“Pronotime për verën kemi, më të shumtat janë në muajn korrik dhe gusht. Ndryshe nga vitet e mëparshme sot shikojmë interes edhe nga vendet që si kemi pasur si Azia, Afrika, Amerika”, shtoi Isufaj.
Për të përballuar fluksin e lartë gjatë verës, operatorët turistik kanë plotësuar stafin edhe me punonjës të huaj të kualifikuar, për një shërbim sa më cilësor.
“Çdo operator turistik nga viti në vit investon, stafet tani janë dhe të huaj. Në çdo pozicion kemi marrë dhe të huaj dhe kjo ofron një shërbim më shumë. Vlorën duhet ta vizitojnë e para nga natyra e dyta nga ushqimi se ka kuzhinë të gjithanshme”, shpjegon operatori turistik.
Në bazë të informacioneve deri më tani, megjithëse është ende herët, në muajt korrik dhe gusht mbi 70% te numrit total të dhomave të njësive hoteliere janë prenotuar.