Për gjysmën e parë të vitit 2025, të tre grupet e ndërmarrjeve (të vogla, të mesme dhe të mëdha) presin rritje të mëtejshme të shitjeve dhe të rezultatit pozitiv financiar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas vrojtimit të BSH-së, ”Mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh të ndërmarrjeve”, performanca financiare e bizneseve ka qenë pozitive gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024, trend që po vijon edhe gjatë këtij viti.
“Rreth 93% e ndërmarrjeve të vrojtuara gjatë periudhës (6-mujori dytë 2024) kanë operuar me fitim. Ecuria e shitjeve vlerësohet pozitive dhe në rritje krahasuar me periudhën e kaluar dhe me një vit më parë”, raporton BSH-ja.
Vlera më e lartë e indeksit është regjistruar në ndërmarrjet e mëdha dhe ato të sektorit të ndërtimit, ndërsa rritja më e shpejtë e tij gjatë periudhës rezulton te ndërmarrjet e mesme dhe ato të sektorit të shërbimeve.
Sa iu përket sfidave të aktivitetit gjatë periudhës, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme kanë cilësuar “konkurrencën” dhe “gjetjen e tregut”, ndërsa ndërmarrjet e mëdha kanë veçuar “kostot e financimit dhe “disponueshmërinë e stafit”.
Pesha e ndërmarrjeve që kanë hua për të paguar nuk ka treguar ndryshim të rëndësishëm gjatë vitit të kaluar.
Sipas vrojtimit, reth 36% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar. Kjo peshë ka shënuar një rënie prej 1 % krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por është rritur me 0,3 % krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa rreth 84% e ndërmarrjeve e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes, por ndërmarrjet e vogla vijojnë të shfaqin kërkesë më të lartë për financim.