Ballina Dossier HISTORI/ Diplomacia austro-hungareze për kryengritjen shqiptare të Malësisë së mbishkodrës të vitit...

HISTORI/ Diplomacia austro-hungareze për kryengritjen shqiptare të Malësisë së mbishkodrës të vitit 1911

34
0

Nga Lush Culaj 

Malësia e Madhe, si krahinë me një lidhje të brend­shme, natyrore, territoriale dhe shpirtërore e kombit shqip­tar, gjeografikisht gjendet në skajin më verior të Alpeve shqiptare, në Bjeshkët e Kelmendit, pra në zonën kufitare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi.

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX është ndër periudhat më të bujshme të historisë së popullit shqi­ptar. Ishte periudhë e kryengritjeve të pandërprera, kryengri­tje që në esencë ishin vazhdimësi e luftës shekullore kundër shtypjeve të llojllojshme, të cilat, më në fund, mundësuan shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar.

Këto luftëra luajtën një rol shumë pozitiv për rënien e Perandorisë Osmane, e njëkohësisht i kontribuuan edhe për dëbimin e turqve nga Evropa Juglindore.

Në fund të dhjetëvjetëshit të parë të shekullit të XX, koncepti i Evropës që kishte mbajtur paqen për një shekull, me gjithë qëllimet e tij praktike kishte pushuar së ekzistuari, sepse kundërthëniet ndërmjet Fuqive të Mëdha u shtuan shu­më.

E preokupuar me interesa të veçanta rajonale, ndo­nëse e pozicionuar në këtë periudhë kohore për ruajtjen e status quos, Austro-Hungaria iu kushtonte vëmendje të ve­çantë zhvillimeve në trevat shqiptare. Si Austro-Hunga­ria, ashtu edhe Italia, po i dyfishonin përpjekjet diplomatike që t’i përvetësonin shqiptarët.

Fillimi i shekullit të XX bëri që trevat shqiptare të jenë, në një mënyrë më të theksuar, fushë e përplasjes ndër­mjet interesave austriake dhe italiane. Vjena, mbështetur në ma­rrëveshjen me Stambollin, ishte e njohur zyrtarisht si mbroj­tëse e katolicizmit shqiptar. Ajo, me fondet e saj, ki­shte ndërtuar dhe kishte mbajtur ato pak kisha e shkolla. Nga ana tjetër, për shekuj me radhë, gjuha italiane kishte shër­byer si një lloj gjuhe kulture në mes shqiptarëve dhe ishte përdorur madje gjatë në institucionet shkollore, ndo­nëse këto të fundit ishin të mbajtura nga Vjena. Mirëpo, kur veprimet italiane u shfaqën si konkurruese të mëdha për dip­lomacinë vjeneze, gjuha shqipe u fut gjerësisht në shko­lla dhe klerikët italisht­folës u zëvendësuan në masë me shqiptarë.

Përderisa në Vilajetin e Kosovës zhvilloheshin lufti­me të përgjakshme, të krishterët e Shkodrës kishin besim tek Austro-Hungaria si mbrojtëse e katolikëve kundër Pera­ndorisë Osmane. Megjithatë, Austro-Hungaria, duke e ana­­­lizuar politikën rajonale, insistonte me këmbëngulje në ruajtjen e qetësisë në Evropën Juglindore. Ajo e këshillonte Stambollin që të bënte një politikë të urtë ndaj shqiptarëve, por gjithashtu bënte presion edhe mbi shqiptarët që të mos ngrinin krye.

Megjithatë, atë që nuk u arrit një vit më parë në Ko­sovë, u përpoqën ta vinin në vend malësorët e Mbishkodrës në vitin 1911. Më 23 mars ata filluan luftën kundër forcave ushtarake osmane në Rapshë e në Traboin, në mënyrë që krye­ngritja të shtrihej në gjithë Hotin, Grudën e Kel­me­ndin.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 përbën njërin ndër momentet kryesore të periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare. Si e tillë, ajo zë një pozicion kulmor në vijimësinë e pjekurisë kohore dhe përmbajtjesore të kësaj lëvizjeje. Kryengritja mban epitetin e një përpje­kjeje me orientim kombëtar.

Kryengritja shqiptare e vitit 1911 fillon ashtu siç fi­lloj­në lëvizjet në Evropën Juglindore, në fund të dimrit.

Dëshmitë arkivore janë pasqyrë e qartë për pozicionin e Austro-Hungarisë ndaj ngjarjeve në përgjithësi dhe ndaj shqiptarëve në veçanti. Politika vjeneze ishte e vetëdijshme se ndodhej përpara “simptomave të një lëvizjeje të për­gjith­shme” dhe para mundësisë së një afrimi të mundshëm të ma­lësorëve me Malin e Zi. Konform situatës të krijuar nga aksioni i Shefqet Turgut Pashës dhe në vijim, duke ndjekur me vëmendje situatën, qeveria vjeneze e këshillonte Stam­bo­llin në rastin e “veprimeve të nxitura”, duke dashur të tre­gohej e “matur dhe me konsideratë karshi veçorive të shqipta­rëve”. Natyrisht, përmes kësaj, pretendohej ruajtja e simpatisë për Austro-Hungarinë te shqiptarët. Në përputhje me këtë qëndrim urdhri ndaj Zambaurit, i datës 10 mars, ishte shumë i saktë dhe i qartë. Përfaqësuesit diplomatikë të kësaj perandorie duhet të ishin shumë të kujdesshëm, ko­rrektë dhe plotësisht të çiltër ndaj qeverisë turke, t’u trego­nin këtyre se keqësimi i situatës në vend ishte pasojë e faktit se pala turke nuk dëshironte të tregohej e kënaqur me rezultatin e një marrëveshjeje të mundshme. Nga ana tjetër, Austro-Hungaria nuk duhet të ndërhynte kundrejt manifesti­me­ve të ndryshme të pakënaqësisë ekzistuese dhe duhet të ishin shumë të kujdesshëm me klerin e me parinë shqiptare. Ata duhet t’ua qartësonin shqiptarëve “mungesën e gatish­më­risë nga ana e Turqisë, për t’i zbatuar këshillat miqësore” të Qeverisë të Vjenës. Gjithsesi qëllimi ishte që të mos keq­interpretohej nga shqiptarët situata sikur austriakët donin të inkurajonin popullsinë për të kundërshtuar sundimin turk.

Politika e Romës e kundërshtonte shtrirjen e Austro-Hungarisë në bregdetin shqiptar, por nga ana tjetër nuk do të ishte kundër që aty ta vinte këmbën njëra nga shtetet ballkanike. Nga pikëpamja ekonomike dhe politike për Ro­mën do të ishte më e përshtatshme që ky shtet të ishte Ser­bia dhe kjo pikërisht për ta penguar Austro-Hungarinë. Pastaj Italia mbase do të pajtohej me propozimin e Austro-Hungarisë për krijimin e Shqipërisë së pavarur që do të ish­te për Serbinë shumë e pakëndshme.

Te shqiptarët Austro-Hungaria kishte parë një popull tradicionalisht antisllav, prandaj ajo shpresonte se interesat e saj realizoheshin më së miri në rast të prishjes së “ status quos” me formimin e shtetit shqiptar, si një digë e fuqishme antisllave dhe antiruse në Evropën Juglindore.

Megjithatë, diplomacia serbe mund t’i ofronte diplo­ma­­­cisë italiane teza për paqëndrueshmërinë e Shqipërisë si shtet i pavarur. Për këtë arsye të dy fuqitë aleate doemos du­hej ta mbanin atë nën protektorat të vazhdueshëm, që, në të vërtetë, do të ishte një lloj mbikëqyrjeje. Mirëpo, në këtë rast Austro-Hungaria do të ishte gjithnjë e më e fuqishme, kështu që do ta eliminonte Italinë posa t’i vinte mundësia i parë.

Gjithsesi interesi i Fuqive të Mëdha në raport me shqiptarët dhe çështjen shqiptare po shtohej dita-ditës dhe pa dyshim në pozicionin më favorizues shfaqej Austro-Hungaria.

Interesat austro-hungareze në territorin e vjetër turk do të cenohen për shkak të gjendjes të re të krijuar dhe interesimi i Vjenës për ta ruajtur ndikimin në ketë rajon ishte i dukshëm.

Megjithatë, interesat këtu ishin të llojllojshme. Mbreti Nikollë i Malit të Zi nuk po hiqte dorë nga planet e tij për ta nxitur dhe për ta shfrytëzuar kryengritjen shqiptare për që­llimet e tij. Implikimi i Malit të Zi në kryengritje bënte që Fuqitë e tjera të Mëdha, të cilat kishin interesat e tyre strategjike në Ballkan, siç ishin Italia dhe Austro-Hungaria, të reagonin duke shtuar interesimin dhe gatishmërinë për atë që mund të ndodhte.

Austro-Hungaria ishte e frymëzuar nga ndjenjat mi­që­sore ndaj Perandorisë Osmane dhe shprehej se nuk men­do­nte të përzihej në ngjarjet në Shqipëri. Megjithëse diplo­ma­cia vjeneze deklarohej se kjo ishte çështje e brendshme e Perandorisë Osmane, ajo bënte presion diplomatik mbi Sta­m­bollin që operacionin e saj brutal mbi kryengritësit ta zëvendësonte me mjete më të buta dhe ta zgjidhte prob­le­min me ta me mjete paqësore. Vjena pa dyshim që e përci­ll­te me vëmendje të veçantë situatën dhe kishte angazhuar diplo­macinë e saj, për të vëzhguar rrjedhat me kujdes dhe për të vepruar në përputhje me veprimet e Fuqive të Mëdha.

Duke njohur rrethanat e pafavorshme për momentin, e sidomos rrezikun nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria udhë­zonte klerikët shqiptarë të Shqipërisë së Veriut që të ndi­ko­nin për ndalimin e kryengritjes.

Natyrisht rreziku më i madh për Qeverinë e Stam­bollit vinte nga shtetet sllave, të interesuara për zgjerim territorial në dëm të tokave të saj.

Ministri i Jashtëm serb, M. Millovanoviq, pasi anali­zonte politikën ballkanike të Austro-Hungarisë përfundonte se asaj hëpërhë do t’i mjaftonte keqësimi i gjendjes në “Ar­na­utllëk”, po edhe me nxitjen e saj pa u kompromentuar ve­të fare, por duke vepruar nëpërmjet Malit të Zi. Në vë­rejtjet eventuale nga Rusia dhe Italia ajo do të përgjigjej se qortimi lypset drejtuar nga Mali i Zi. Sipas kryediplomatit serb, Mi­llo­vanoviq, Austro-Hungaria do të realizonte në kë­të for­më fitim të dyfishtë: 1) Turqisë do t’ia mbillte besimin se qënd­rue­­shmëria dhe siguria e saj varet nga Austro-Hun­garia, se­pse është ajo që i frenon shtetet ballkanike ta sul­mojnë atë; dhe 2) Do ta mbante të qëndrueshme gjendjen që t’i për­shtatej politikës së saj ballkanike.

Nga ana tjetër, një pjesë e atdhetarëve shqiptarë pu­nonin për të siguruar përkrahjen e qeverisë së Romës. Megjith­atë, diplomacia italiane mbante një qëndrim ndry­she nga ai i popullit italian. Qeveria e Romës nuk ishte e inte­resuar të ndërhynte në Shqipëri sepse kjo do të shkak­tonte kundërveprimin e Austro-Hungarisë. Në shkurt të vitit 1911 qeveria e Romës e ndaloi ekspeditën e vullnetarëve dhe mori masa për të penguar çdo ndihmë që mund t’u jepej kryengritësve shqiptarë nga Italia.

Pra, Fuqitë Adriatike, e sidomos Austro-Hungaria, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, bënë kujdes dhe u përpoqën që Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ta mbanin brenda kuadrit të një lëvizjeje paqësore me karakter thjesht kulturor-arsimor.

Vjena e këshillonte Stambollin që të tregohej e matur dhe e arsyeshme me shqiptarët. Nga ana tjetër, për shkak të interesave të veta rajonale e sidomos nga rivaliteti me pan­sllavizmin, Vjena dëshironte që Stambolli ende të qëndro­nte në këmbë.

Me shpërthimin e kryengritjes antiosmane në Malë­sinë e Mbishkodrës perceptimi i parë politik i Austro-Hun­garisë dhe Italisë, që u përpoqën të krijonin në sytë e Pe­ra­ndorisë Osmane ishte se çështja shqiptare ishte çështje e brendshme e Stambollit. Kjo nuk do të thotë që kryen­gri­tja shqiptare nuk e acaroi edhe më shumë rivalitetin austro-ita­lian. Diplomacia e stërholluar austriake kundrejt krye­n­gri­tjes shqiptare mbështetej në kritikën kundër politikës osma­ne, duke u dhënë rrethana zbutëse, jo vetëm shqiptarëve, por gjithashtu edhe Malit të Zi, në qoftë se do të përfshihej në luftë. Më 29 mars ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Pallaviçini, përmes një letre drejtuar Baronit von Muller dhe konsullit Zambazur, kërkonte nga ata që të informohej Veziri i Madh se si Austro-Hungaria, ngjarjet e tanishme në Shqipërinë e Veriut i cilësonte si një pasojë e drejtpërdrejtë e mosrespektimit të këshillave të saj të hershme miqësore.

Qeveria e Beogradit bëri përpjekje të mëdha që shte­tet ballkanike, e Mali i Zi në radhë të parë, sikurse edhe Bull­garia të mos e mbështesnin në asnjë formë kryengritjen shqiptare të vitit 1911. Megjithatë, sundimtari i Malit të Zi hyri në negociata me Bullgarinë dhe bëri orvatje për ta arritur një marrëveshje politiko-ushtarake me Serbinë për ndarjen e sferave të interesit.

Beogradi, jo vetëm që nuk e mbështeti këtë ofertë, po veprimin e Mbretit Nikollë e quante si një hap fare të pa­peshuar, ndaj e këshillonte të hiqte dorë nga “kjo aventurë e rrezikshme”. Beogradi përpiqej ta bindte Cetinën se kjo ide nuk ishte në interesin e “idesë së madhe serbe” dhe të ser­bizimit, duke përfunduar se përmes kësaj kryengritjeje do të shkaktohej një përmbysje situate, të cilën, sipas parashi­kimit të Serbisë, do ta shfrytëzonte Austro-Hungaria si pre­te­kst të ndërhyrjes. Edhe në opinion konsiderohej se pas politikës malaziase kundrejt lëvizjes shqiptare qëndronte Aus­tro-Hungaria, e cila rrinte gati që ta shfrytëzonte rrëmu­jën në Turqi për interesat e saja në Evropën Juglindore. Prandaj, ishte e kuptueshme që mosbesimi i diplomacisë ruse ndihej edhe në Cetinë.

Qëndrim identik kishte edhe konsulli i Shkupit, Jovan M. Jovanoviq, i cili konsiderohej si njëri ndër njohësit më të mirë të çështjes shqiptare. Ai kishte tërhequr edhe përpara vëmendjen e qeverisë së tij për rrjedhimet serioze që mund të kishte kryengritja shqiptare për interesat e Serbisë. Sipas kundrimit të tij, kryengritja gëzonte përkrahjen e Austro-Hungarisë që pasqyrohej në lidhjet e ngushta të agjentëve të saj me krerët shqiptarë në terren.

Millovanoviqit nuk mund t’ia ndryshonte njeri me­ndjen se autonomia shqiptare nuk mund të ishte pjellë e politikës vjeneze, në radhë të parë dhe kur Pashiqi thoshte se në atë moment duhej vepruar me shumë kujdes. Sipas tij, në rastin e kundërt do t’i jepet Austro-Hungarisë pretekst për të bërë atë që dëshiron, kurse aksioni i Serbisë do të krijonte nga ana tjetër mosbesimin ndaj saj në Turqi dhe në Evropë.

Ndërkaq Isa Boletini në një takim që pati me mbretin Nikollë hodhi poshtë propozimin e tij që veprimet luftarake të malësorëve të mbështeteshin nga Mali i Zi. Po kështu veproi edhe Dedë Gjo Luli.

Kryengritja filloi më 24 mars 1911, kur malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, Gjek Marash Gje­loshi etj. filluan veprimet luftarake dhe sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri me shpejtësi të madhe në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat. Diplomacia e Stam­bollit mendonte që ta përdorte si mjet për ta penguar krye­ngritjen fanatizmin fetar, duke tentuar t’i nxisnin përçarjet dhe grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë dhe ka­tolikë. Ata filluan t’i quanin malësorët në shërbim të Malit të Zi, d.m.th. të një shteti të krishterë.

Gazeta italiane “La Tribuna”, e datës 29 mars 1911, që dilte në Romë, duke shkruar për përhapjen e kryengritjes shqiptare të Malësisë të Mbishkodrës, theksonte se është frika që tërë Shqipëria të ngrihet në kryengritje.

Strehimi i refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi shtonte tensionet dhe kishte acaruar marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Fuqitë e Mëdha e përcillnin gje­­ndjen me vëmendje dhe reagonin varësisht nga interesat e tyre. Përderisa Perandoria Osmane ishte e interesuar për kthimin e refugjatëve dhe për qetësimin e situatës, edhe Ru­sia nën presionin e Austro-Hungarisë dhe e frikësuar nga ndo­një konflikt eventual në Evropën Juglindore për të cilin nuk ishte e përgatitur, iu kërcënua Malit të Zi për kthim sa më të shpejtë të refugjatëve shqiptarë dhe për uljen e tensionit politik e ushtarak.

Edith Durham i shkruante nga Podgorica konsullit të përgjithshëm anglez në Cetinë se si vëzhguese e paanshme e situatës e gjykonte gjendjen në Shqipëri dhe çështjen shqi­ptare si tejet të tensionuar. Ballafaquar me ato ngjarje para syve të të ashtuquajturave “Fuqi të Mëdha”, ajo i akuzonte të gjitha me radhë e në veçanti Austro-Hungarinë që e lejo­nte Stambollin të ushtronte barbari mbi shqiptarët e Malë­sisë së Mbishkodrës. Kryengritësit, sipas Durhamit, nuk kishin forcë të luftonin me ushtrinë osmane, kur raporti i forcave midis kryengritësve dhe forcave të kësaj ushtrie ishte 1-20. Kur refugjatët shqiptarë i shtruan pyetjen Dur­hamit nëse kishte ndonjë mik kryeministri anglez që do të mund ta angazhonin për ta mbrojtur çështjen shqiptare, do t’u përgjigjej: ”Të gjithë miqtë e kryeministrit anglez tash­më janë miq të turkut”.

Në prill të vitit 1911 Shefqet Turgut Pasha shpall am­nistinë dhe u jepte 5 ditë afat kryengritësve të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe t’i dorëzonin armët, ndryshe kërcënonte se do të merreshin masa të rrepta.

Mbreti Nikollë i Malit të Zi e informoi përfaqësuesin austriak në Cetinë, Giesl, se si ai ishte i gatshëm t’i kthente refugjatët shqiptarë në vend të tyre, porse nuk do të bënte asgjë në kundërshtim me të drejtën e azilit politik. Nga ana tjetër kryeministri malazias bisedoi me përfaqësuesin e Ru­si­së, Arsenev, i cili e këshillonte Malin e Zi që të ketë kuj­des nga çdo hap i shpejtuar, sepse në rast të kundërt nuk do të mbështetej nga Rusia. Diplomati rus e quante pa­pje­kuri që përpara shpërbërjes të Turqisë të hyhej në luftë me të, aq më tepër ngase se Mali i Zi së shpejti do t’i rea­lizonte pa luftë pretendimet e tij.

Mirëpo, diplomacia vjeneze u ndodh nën presionin e opinionit publik vendas, veçanërisht të shtypit katolik, i cili u bë aleati më besnik i interesave të malësorëve kryengritës dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Gazetat “Reichspost”, “Va­ter­land” etj. nëpërmjet korrespodentëve të tyre, kryesisht nga Shkodra dhe Raguza, përshkruanin në detaje situatën e rëndë në rajon. Ata kërkuan publikisht mbrojtjen e institu­cioneve katolike, institucioneve arsimore në gjuhën shqipe, duke de­ma­skuar si qëndrimin diskriminues antishqiptar të xhontur­qve, mizoritë e tyre, ashtu edhe synimet e fshehta të shteteve fqinje ndaj shqiptarëve. Gazetat bënin presion në Ministrinë e Jashtme vjeneze në favor të ushtrimit të pro­te­k­toratit austro-hungarez në këtë zonë të nxehtë të Shqipërisë. Duke rikujtuar punën e jashtëzakonshme civilizuese dhe na­ci­onaliste të klerikëve katolikë shqiptarë, të shkollave dhe kishave katolike që u bënë bazat e qytetërimit perëndimor në Shqipëri, këto gazeta tërhiqnin vërejtjen se ato baza të asaj veprimtarie shekullore po shkatërroheshin nga xhon­turqit.

Më 3 maj u zhvillua njëra ndër përleshjet më të më­dha ndërmjet kryengritësve dhe forcave osmane, pas së cilës u hap rruga për në qendër të vilajetit në Shkodër. Pikë­risht për këto ditë të rëndësishme Luigj Gurakuqi do të shkruante se sikur kryengritësit të kishin pasur armë të mjaf­­tueshme do ta kishin marrë Shkodrën.

Megjithatë, diplomacia vjeneze vazhdonte taktikën e saj të “maturisë politike” në të dy krahët, duke u kujdesur që të mos krijonte ndërlikime të mëtejshme, për shkak të reperkusionit që do të mund të ushtrohej mbi pjesën kato­like të popullsisë.

Franc Ferdinandi i drejtohet argjipeshkvit të Shko­d­rës, Imzot Jak Sereqit, duke e siguruar se mbrojtja e intere­save besimtarëve të kultit katolik në Shqipëri do të ishte edhe në të ardhmen objektiv i kujdesit të veçantë të diplo­ma­cisë vjeneze. Megjithatë, ai e justifikonte qëndrimin e shtetit që përfaqësonte, duke u shprehur se këshillat miqë­sore e konfidenciale ishin e vetmja rrugë që lejohej nga e drejta ndërkombëtare. Ferdinandi e siguronte argjipeshkvin se zyrat e përfaqësimit austriak kishin marrë shpeshherë autorizimin që në periudhën e vështirë të kryengritjes të ndër­­hynin për mbrojtjen e interesave të kultit katolik.

Me qëndrimin e tillë diplomatik ndaj ngjarjeve në Shqi­­përi, Vjena po i respektonte marrëveshjet që i kishte me Italinë, të cilat përjashtonin çfarëdo orvatjeje për për­fitime territoriale, orvatje me të cilat do të vinin në kundër­shtim me parimin e ruajtjes së status quos territoriale, si edhe me parimin e integritetit të Perandorisë Otomane e të shteteve ballkanike.

Këtu kuptohet se si ishte e kushtëzuar jeta e Shqipë­risë nga faktorët e jashtëm që lidheshin me një baraspeshë të brishtë të rajonit të Evropës Juglindore.

Më 23 maj Aehrenthali do të rikthehet në krye të Ministrisë së Jashtme. Ky rikthim do të koincidojë me një fu­qizim të veprimtarisë së jashtme të politikës vjeneze. Ai ishte më këmbëngulës se Pallaviçini në këshillat ndaj turqve të rinj, për t’i toleruar në njëfarë mase ndjenjat kombëtare shqiptare.

Për dallim nga shtypi dhe qëndrimi zyrtar, shtypi ka­tolik vazhdon t’i përmbahet qëndrimit pararendës; kritikë e rreptë ndaj politikës osmane, por kritika të ashpra edhe ndaj politikës të Vjenës si dhe kërkesa për të ndërhyrë në dobi të zgjidhjes së krizës. Ky qëndrim kryesisht mbështetej në si­mpatitë e vjetra të Austrisë ndaj shqiptarëve. Këto gazeta e kritikonin ministrin e Jashtëm, Count Aehrenthalin, se si ky nuk po e vazhdonte politikën tradicionale të Austrisë mbi të drejtën e mbrojtjes së popullsisë krishtere në Shqi­përi.

Pallaviçini, i cili udhëhiqte politikën jashtme të Vje­nës gjatë mungesës së Aehrenthalit, disa herë ishte shprehur se kryengritja shqiptare nuk do të merrte përmasa të rre­zikshme dhe çdo gjë do të mbyllej shpejt, përpara fundit të muajit maj. Kur në fundin e muajit maj Aehrenthali u kthye përsëri në krye të Ministrisë të Jashtme, kryengritja ishte në kulmin e zhvillimit të saj të plotë. Kjo binte ndesh me qën­dri­min e Pallaviqinit se kryengritja nuk do të merrte për­masa të rrezikshme. Nga ana tjetër qëndrimi rus drejtuar Stambollit i jepte shpresë diplomacisë vjeneze që në ndonjë moment të caktuar çështja shqiptare të mund të ngrihej në një çështje që nuk do t’i përkiste vetëm Perandorisë Osma­ne dhe e cila do të mund të shndërrohej në një problem ndër­­kombëtar.

Është e kuptueshme se qëndrimi as mish as peshk i diplomacisë austro-hungareze do ta shkaktonte rënien e pre­stigjit te shqiptarët. “Katolikët romanë, – shkruan Edith Dur­ham, – janë shumë të inatosur me mënyrën me të cilën ajo është duke e mbrojtur Kishën në Shqipëri”.

Kjo shihet edhe nga një letër, drejtuar perandorit Franc Ferdinand, ku pakënaqësia e shqiptarëve shprehej me nota të qarta nacionaliste: ”Deri kur mendon Madhëria Juaj se ne duhet të qëndrojmë nën zgjedhjen e turkut? “Prandaj kërkojmë që Madhëria Juaj të marrë parasysh zemrat tona që dëshirojmë çlirimin e Shqipërisë… ne nuk duam më të nën­shtrohemi dhe duam të na jepet autonomia, ose të për­kra­hemi nga cilado fuqi”.

Këto qëndrime ndoshta ndikuan në veprimet diplo­ma­tike të ministrit të Jashtëm, Aehrenthal, që t’i qaset çësh­tjes shqiptare më seriozisht.

U bë një përpjekje më serioze për një trajtim të për­bashkët të çështjes nga ana e Fuqive të Mëdha. Siç mund të kuptohet, një hap i tillë kaq i vendosur u ndikua nga kër­kesa e Franc Ferdinandit bërë ministrit të Jashtëm austro-hun­ga­rez që të mos neglizhonte shqiptarët katolikë.

Ndërhyrjet e Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë, e cila i ishte drejtuar zyrtarisht Malit të Zi shkaktuan një rea­gim të ashpër edhe nga ana e opinionit publik osman dhe ministri Rifat Pasha foli para parlamentit për këtë çështje më 29 maj duke deklaruar se Mali i Zi i është drejtuar Ru­sisë vetëm ngase e ka ndier veten të kërcënuar nga trysnia e trupave osmane.

Në rrethanat e krijuara del se as Italia nuk ishte një spe­ktatore e thjeshtë në zhvillimet në Evropën Juglindore dhe se kishte projektin e saj politiko-tregtar mbi Shqipë­rinë.

Megjithatë, në fillim të qershorit, diplomacia vjeneze ndërmori më në fund një aktivitet energjetik për shuarjen e konfliktit në Malësinë shqiptare. Austro-Hungaria kërkoi që Perandoria Osmane të arrinte sa më parë një marrëveshje me kryengritësit, duke u bërë atyre lëshime. Për ta bërë po­zi­cionin e tyre plotësisht më të qartë, më 7 qershor ministri i Jashtëm, Aehrenthali, në bisedën që zhvilloi me ambasa­dorin turk, përdori tone të ashpra. Të nesërmen Austro-Hu­n­­garia shfaqi publikisht dëshirën e saj që Perandoria Osma­ne t’i jepte fund sa më parë kësaj situate në Shqipëri, duke e ritheksuar me këtë rast të drejtën e saj për të ndër­hyrë në të mirë të katolikëve shqiptarë. Ishte periudha kur diplomacia vjeneze arrin në kulmin e aktivitetit të vet. Edhe kur Vjena më 13 qershor kërkoi të ndërmerrej një veprim i përbashkët diplomatik ndaj Malit të Zi, më qëllim shma­n­gien e pë­r­f­shirjes së mundshme të tij në trazirat në Shqipë­ri­në e Veri­ut, Fuqitë e Mëdha filluan ta vlerësonin të rëndësi­sh­me një ndërhyrje të përbashkët. Megjithatë vlen të thek­sohet se, Vjena mbante marrëdhënie relativisht të mira edhe me Londrën për çështje të caktuara. Ato shpesh kishin shfa­qur në pozicionet një frymë krejt miqësore, pa hequr dorë nga pikëpamjet përkatëse të bazuara në interesat e secilit vend.

Mbi bazën e qëndrimit të tillë Ministri austriak në Cetinë, më 16 qershor, kërkon nga mbreti Nikolla që Mali i Zi ta ruante neutralitetin, megjithëse kishte shumë dëshmi se ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Ai u paralajmërua se do të bartte përgjegjësi në rast të përkeqësimit të situatës apo në rast se kryengritësit inkurajoheshin të bënin reziste­n­cë të mëtejshme. Një qëndrim të tillë e mbështeti edhe am­ba­sadori gjerman.

Nga ana e tjetër, që më 13 qershor, Këshilli i Mini­s­tra­ve i Perandorisë Osmane, me propozimin e Rifat Pashës, ishte shprehur në favor të pezullimit të plotë të operacio­neve ushtarake në Shqipëri.

Edhe ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grey, mendo­n­te se një mirëkuptim ndërmjet fuqive ishte esencial, veça­nërisht në radhë të parë mes Rusisë dhe Austrisë, të cilave mund t’iu bashkohej edhe Italia. Në një rast të tillë mbë­shtetja e fuqive të tjera sigurisht që do të ishte e menjë­her­shme në përkrahje të përpjekjeve për ruajtjen e paqes. Vep­rimi i tillë dukej të ishte një mirëkuptim i respek­tueshëm midis fuqive më të interesuara në ruajtjen e paqes në Evro­pën Juglindore.

Edhe qeveria ruse u deklarua në favor të një marrë­ve­shje ndërmjet Rusisë dhe Austrisë për problemet konkrete që lindnin në Evropën Juglindore përpara se ndonjë veprim i përbashkët të mund të ndërmerrej prej fuqive të tjera.

Ndonëse që nga fillimi i shekullit XX e deri në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria është një lloj toke e lakmuar për Italinë, politika e jashtme e saj e nuk përjashton frymën nacio­naliste dhe imperialiste tipike për shumë fuqi të asaj periudhe.

Italia, në rrethanat e krijuara, nuk e mbështeste as agre­sionin e mundshëm nga ana e Malit të Zi, por as krye­ngritjen shqiptare e cila në rrethana të tjera do të mund të ishte shfrytëzuar në avantazhin e saj.

Nga mesi i qershorit e deri në mesin e korrikut të vitit 1911 çështja shqiptare zhvendoset në një sferë të mirëfilltë politike, ku një rol të rëndësishëm vijon të ketë edhe Mali i Zi, cili druhet se mos trupat e Perandorisë Osmane, duke ndjekur kryengritësit, do të futeshin në territorin e tij dhe do ta detyronin të hynte domosdo në luftë.

Memorandumi i Greçës, i paraqitur nga Luigj Gura­kuqi, më 23 qershor 1911, parashtronte një program të plotë të autonomisë të Shqipërisë. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundër­shtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës të shte­te­ve fqinje që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lë­vizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malë­so­rë­ve si kryengritje fetare.

Kryengritja e Malësisë dhe kërkesat e saj tërhoqën vëmendjen edhe të diplomacisë angleze. Njëri ndër përfaqë­suesit e kryengritjes, Mark Kakarriqi, iu drejtua diplomacisë londineze në mënyrë të veçantë. Mbështetur në memora­n­dumin me të cilin kryengritësit shqiptarë u ishin drejtuar Fuqive të Mëdha, ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grey, që më 26 qershor kërkoi të ndërhyhej kolektivisht pranë Stambollit në përkrahje të shqiptarëve, për t’i kënaqur kër­kes­at e tyre për gjuhën, shkollën, ndërtimin e rrugëve dhe për amnistinë e përgjithshme. Megjithatë, ky propozim nuk u mbështet nga shtetet e tjera të fuqishme. Gjermania kon­si­deronte se Perandoria Osmane do ta cilësonte si ndërhyrje në punë të brendshme. Austro-Hungaria iu përmbajt qën­dri­mit të mëparshëm të mosndërhyrjes. Franca nuk u tregua e gatshme të bashkohej me nismën e Anglisë, kurse Rusia shprehu dyshimet se shqiptarët nuk do të ishin të kënaqur me lëshimet e propozuara nga Eduard Grey, kur dihej se ata kërkonin autonominë.

Në rrethanat e krijuara Austro-Hungaria filloi të mos e shikonte me sy të mirë nismën angleze në çështjen shqip­ta­re, kurse nga ana tjetër ajo shprehej e gatshme të disku­tonte çështjen shqiptare me qeverinë e Italisë, Rusisë, madje edhe me Anglinë, Francën dhe Gjermaninë.

Interesi i Rusisë në krizën shqiptare të vitit 1911 ishte i përqendruar në Mal të Zi dhe, për sa kohë nuk ekzistonte ndonjë rrezik që ky shtet të përfshihej në konflikt, ajo lë­vizte me vështirësi në planin diplomatik. I një rëndësie të veçantë paraqitej pozicionimi përfundimtar i Austro-Hun­garisë. Situ­ata mund të ndërlikohej në rast se Austria, me politikën e saj, do ta shtynte Malin e Zi drejt armiqësive, pasi në një rast të tillë ajo pa dyshim që do të ndërhynte. Në rrethanat e krijuara Austro-Hungaria priste qëndrimin për­fu­ndimtar të aleates së saj, Gjermanisë. Nga ana tjetër Vje­na ndihej e fyer nga fakti që shqiptarët kishin apeluar në Londër dhe jo në Vjenë, që njihej tashmë si protektor i shqi­p­­tarëve.

Diplomacia austriake shqetësohej nga lajmet se si An­glia mund ta zëvendësonte në pozicionin e saj si pro­tektor i shqiptarëve. Mbështetur në disa burime, më 5 korrik ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Aehrenthal, për ta ko­mpensuar këtë rënie ndikimi, shpresoi në mbështetjen e argjipeshkvit të Shkodrës në Podgoricë, Imzot Serreqit. Gradualisht qëndrimi i një ndërhyrjeje të përbashkët të pesë Fuqive të Mëdha filloi të bashkëshoqërohet në praktikë, nga vetë rakordimet diplomatike, me formulën e “një përpje­kjeje të përbashkët për zgjidhjen e krizës nga tri fuqitë më të interesuara në rajon Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia”.

Me gjithë tërë këto zhvillime, ministri i Jashtëm vje­nez, Aehrenthal, vazhdonte të ishte i shkëputur nga realiteti i shkaqeve reale të kryengritjes malësore dhe i përmbahej idesë se malësorët shqiptarë ishin nën ndikimin e mbretit Nikolla. Mbi këtë bazë ai propozonte se hapi i parë që duhej të bëhej ishte që fiset shqiptare të shkëputeshin nga një ndikim i tillë. Ai e kishte aprovuar propozimin e Greyt që Austria, Rusia dhe Italia të vepronin ngushtësisht së bashku për një zgjidhje të çështjes shqiptare.

Ndërkohë, për ta detyruar Stambollin ta pranonte me­mo­randumin e Greçës si një program që shprehte aspiratat mbarëkombëtare dhe jo vetëm të një krahine, atdhetarët shqi­ptarë u përpoqën që ta organizonin qëndresën e armato­sur edhe në Shqipëri të Jugut.

Nota e 22 korrikut e qeverisë vjeneze theksonte se Pe­ra­ndoria Osmane nevojitej ta qetësonte Shqipërinë me for­cat e veta, pa ndihmën apo mbrojtjen e huaj dhe se pro­pozimi i fundit i mbretit Nikolla nuk do të gjente kështu fa/­vo­re nga ana e saj. Nota, gjithashtu, bënte thirrje për ruaj­tjen e status quos, të drejtën e sovranitetit të Perandorisë Os­mane.

Negociatorët kishin tri ditë në dispozicion për ta gje­tur një zgjidhje, pasi më 1 gusht skadonte afati i amni­s­tisë për kthimin e refugjatëve. Austro-Hungaria dhe Rusia e disku­tuan veçanërisht mënyrën e formulimit të prezantimit ndaj Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Bisedimet në vijim u vendos që t’i zhvillonin ambasadorët përkatës në Stamboll. Në bisedimet e zhvilluara në Stamboll, në fillim të muajit gusht, midis ambasadorëve rusë dhe austriakë, nuk u paraqit ambasadori italian. Qëllimin e këtyre bisedimeve e qartësoi për çudi mirëkuptimi i drejtpërdrejtë i arritur ndër­mjet turqve dhe malësorëve. Një informacion i marrë nga burime të besueshme në Shën Petërsburg, prej korre­spodentit të gazetës “The Times” bënte të njohur se Turqia ua kishte pranuar malësorëve afërsisht çdo gjë që ata kishin kërkuar nëpërmjet memorandumit të prijësve të tyre. Nga ana tjetër, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi ishin pajtuar t’i njoftonin diferencat e tyre nëpërmjet shkëmbimit të notave. Në këtë mënyrë do të “mbyllej” përkohësisht trajtimi i çësh­tjes shqiptare nga diplomacia europiane.

Nga viti 1909 deri në vitin 1918 Austro-Hungaria gra­­dualisht filloi të ndërhynte dhe kishte si qëllim krijimin e një Shqipërie autonome, e cila do të ishte e varur nga ajo në pi­kë­pamje ekonomike, kulturore dhe politike. Shqipëria auto­no­me, nën influencë të Austro-Hungarisë, duhej të ishte aleati i saj kundër pansllavizmit dhe garancia për lundrimin e lirë nëpër ngushticën e Otrantos. Si legalizim i kësaj po­litike të diplomacisë vjeneze vepronte kultusprektorati mbi kato­li­kët shqiptarë.

Nga përshkrimi i rrethanave më lart mund të kon­sta­tohet se qëllimi i politikës austro-hungareze, ndonëse kishte interesa të veta në këtë periudhë kohore, nuk ishte pushtimi i territoreve shqiptare, por pengimi i Serbisë për të siguruar dalje në det nëpërmjet Bosnjë-Hercegovinës, me çka do të pengohej shtrirja e sferës të ndikimit rus në pjesën perën­di­more të Gadishullit Ballkanik. Gjykuar nga këto rrethana, diplomacia austro-hungareze ishte e interesuar për një auto­nomi shqiptare nën ombrellën e Stambollit. Ky qëndrim i kësaj diplomacie ndërlidhej me faktin se krijimi i një shteti shqiptar shumë të brishtë do të ishte pre e synimeve shovi­niste të shteteve sllave e në radhë të parë i synimeve të Ser­bisë të cilat i udhëhiqte Rusia.

Pa dyshim se një qëndrim i tillë i diplomacisë vjeneze konsistonte me faktin se duhej ta shmangte sa ishte e mu­ndur ndikimin e diplomacisë së Romës te shqiptarët. Por ish­te e pashmangshëm se rivaliteti ndërmjet Vjenës dhe Ro­mës të mos shtohej, pasi secila përpiqej të shtonte ndikimin e vet te shqiptarët.

Në vazhdën e kësaj politike kontributi i Austro-Hun­ga­risë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ishte i veçantë e gjithashtu të veçanta ishin edhe përpjekjet diplomatike për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Amba­sa­do­rëve në Londër.