Statistikat e ftohta ndonjëherë kundërshtojnë rrëfimet që, nga përsëritja e vazhdueshme, arrijnë të nguliten në opinionin publik.
Ideja e përhapur se askush nuk mund ta rivalizojë Real Madridin në efikasitet, në finalet e fituara, nuk është krejtësisht e saktë, pasi në këtë raportim të “Sport” zbulojmë se klubi blaugrana ka fituar 78 finale në historinë e tij, kundrejt 72 të fituara nga Real Madridi.
Përqindja e fitoreve në këto ndeshje është 68% për Barcelonën, ndërsa për klubin madrilen është 62%.
Për të përpiluar këtë raport janë përdorur të dhënat zyrtare të Barcelonës dhe Real Madridit, duke mos marrë parasysh titujt rajonalë, edhe pse është e vërtetë që në fillimet e shekullit të 20-të ato kishin një rëndësi të madhe.
Për të bërë një krahasim sa më të drejtë, janë llogaritur të gjithë titujt kombëtarë dhe ndërkombëtarë të të dy klubeve.
Në këtë raport nuk janë llogaritur finalet apo titujt e fituar në futbollin e femrave, në seksione të tjera sportive, as në “Youth League” apo kompeticione të tjera të futbollit bazë, si dhe nuk janë marrë parasysh turnetë miqësorë.
Në prag të finales së “La Cartuja”, statistikat lidhur me finalet e Kupës së Mbretit janë shumë domethënëse.
Barça ka luajtur më shumë finale në këtë kompeticion (42 kundrejt 40 të Realit), ka fituar më shumë Kupa (31 kundrejt 20). Për rrjedhojë, përqindja e fitoreve në finalet e Kupës së Mbretit është dukshëm më e lartë (73% për Barcelonën kundrejt 50% për Realin).
Kjo statistikë shumë e favorshme për Barcelonën mbetet e tillë edhe nëse zgjerojmë vështrimin në të gjitha finalet e kompeticioneve kombëtare.
Në titujt spanjollë, Barça ka fituar 49 finale (68% të finaleve të luajtura), ndërsa Real Madridi ka fituar 35 finale (50.7% e fitoreve në finale).
Narrativa në favor të Real Madridit, që mbështetet në numrin e Champions League të fituara nga të bardhët, përputhet me statistikat. Reali ka fituar 15 nga 18 finalet e luajtura në këtë kompeticion (83%), ndërsa Barça ka fituar 5 nga 8 finale, që përfaqëson një përqindje suksesi më të ulët (62%).
Nëse zgjerojmë vështrimin në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare, Real Madridi e tejkalon Barcelonën si në numrin e finaleve të luajtura (47-40) ashtu edhe në tituj (37-29), por përqindja e fitoreve në finale ndërkombëtare nuk është shumë e ndryshme.
Real Madridi ka fituar 78% të finaleve ndërkombëtare që ka luajtur, ndërsa Barça ka fituar 72% të finaleve të saj në nivele europiane dhe botërore.
Mund të konkludojmë se Barça e tejkalon Real Madridin përsa i përket “genit fitues” në nivel kombëtar, ndërsa Real Madridi e tejkalon Barcelonën në nivel ndërkombëtar.
Në total, Real Madridi ka humbur më shumë finale sesa Barça, ndërkohë që katalanasit kanë fituar më shumë finale dhe kanë një përqindje më të mirë fitoresh në këto ndeshje.
Klisheja që thotë “finalet nuk luhen, por fitohen”, të cilës shumë i shtojnë “Real Madridi di vetëm t’i fitojë finalet”, nuk është 100% e saktë në realitetin historik.
Aty ku të dyja klubet përputhen është në besueshmërinë e tyre të fundit në finalet e Champions League.
Real Madridi ka fituar 9 finalet e fundit të Champions-it që ka luajtur, ndërsa Barça ka fituar 4 finalet e fundit të saj, diçka që pak klube mund ta pretendojnë.
Barça dhe Real Madridi do të përballen sërish këtë të shtunë në një tjetër finale. Nëse Barça fiton, këto statistika do të thellohen edhe më tej, ndërsa nëse fiton Reali, diferencat do të ngushtohen, megjithatë katalanasit do të mund të vazhdojnë të krenohen se kanë fituar më shumë finale në historinë e tyre sesa rivali i përjetshëm.