Ballina Europë OBSH jep alarmin: 1 në 4 të rinj europianë përdorues të alkoolit,...

OBSH jep alarmin: 1 në 4 të rinj europianë përdorues të alkoolit, rreth 2100 jetë të humbura çdo ditë

12
0

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për nivelin shqetësues të konsumit të alkoolit në Europë, veçanërisht tek të rinjtë. Sipas të dhënave të fundit, pothuajse 1 në 4 të rinj në kontinent konsumojnë alkool, duke u ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh serioze shëndetësore dhe sociale.

OBSH paralajmëron se pirja e hershme e alkoolit lidhet ngushtë me probleme të shëndetit mendor, rezultate të ulëta akademike, si dhe rreziqe të larta për varësi, depresion dhe vetëvrasje. Alkooli dëmton zhvillimin e trurit të të rinjve dhe rrit ndjeshëm probabilitetin për probleme kronike shëndetësore në të ardhmen.

Statistikat janë alarmante: një në çdo 11 vdekje në Rajonin Evropian lidhet me përdorimin e alkoolit, duke përbërë rreth 800 mijë vdekje në vit. Ky rajon përfaqëson gati një të tretën e të gjitha vdekjeve globale të shkaktuara nga alkooli. Bashkimi Evropian konsiderohet si zona me konsumin më të lartë të alkoolit në botë, me 7 nga 10 vendet me konsum më të lartë për frymë.

Kanceri është shkaktari kryesor i vdekjeve të lidhura me alkoolin në BE, duke përbërë një të tretën e tyre. Për më tepër, përdorimi i alkoolit shoqërohet me më shumë se 200 sëmundje dhe gjendje shëndetësore, përfshirë sëmundjet e mëlçisë, kanceret dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Situata është veçanërisht e rëndë tek të rinjtë: në grupmoshën 19-24 vjeç, një në katër vdekje lidhet drejtpërdrejt me konsumimin e alkoolit. Çdo ditë, mbi 2100 persona në Europë humbin jetën për shkak të pasojave të alkoolit.