Nga Eduard Zaloshnja
Formula D’Hont filloi të bëhet e njohur për publikin shqiptar qysh nga prilli i vitit 2008. Atë vit u bë një ndryshim rrënjësor në sistemin elektoral, miratuar nga Berisha (atëherë kryeministër) dhe Rama (atëherë kryeopozitar). Dhe qysh atëherë, formula D’Hont përdoret për ndarjen e mandateve parlamentare mes subjekteve zgjedhore në secilin qark.
Ndryshe nga formula strikte përpjestimore, formula D’Hont favorizon partinë e parë në secilin qark, duke disfavoriazuar partitë më të vogla të qarkut. Më poshtë është një shembull hipotetik, që ilustron këtë favorizim.
Le të supozojmë se një qark ka 4 mandate parlamentare dhe në të garojnë 3 subjekte zgjedhore. Më tej le të supozojnë se Subjekti A merr 26 mijë votë, Subjekti B 17 mijë vota, dhe Subjekti C 8.5 mijë vota (shihni tabelën ilustruese). Me një llogaritje strikte përpjestimore, Subjektit A i takojnë 2.02 mandate, Subjektit B 1.32 mandate, dhe Subjektit C 0.66 mandate. Por meqë në kuvend nuk mund të shkojë treçerek deputeti (apo 1 e një çerek), këto shifra duhen rrumbullakosur. Duke prodhuar kështu shpërndarjen përpjestimore të rrumbullakosur 2-1-1.
Ndërsa sipas formulës D’Hont, që i jep përparësi subjektit të parë, shpërndarja e mandateve është 3-1-0. Në thelb të kësaj formule të thjeshtë është pjestimi i votave të secilit subjekt me 1, me 2, me 3, dhe me 4 në këtë shembull hipotetik (ky pjestim vazhdon për aq mandate sa mund të ketë qarku). Në fund, krahasohen hërësat e secilit subjekt, dhe subjektet me herësa më të mëdhej marrin mandate parlamentare.
Në shembullin konkret, herësi i 3-të i Subjektit A (26000/3=8667) është më i madh se herësi i 2-të i Subjektit B (që është 17000/2=8500) dhe më i madh se herësi i parë i Subjektit C (që është 8400/1=8400). Si rrjedhoje, Subjekti A siguron 3 mandate parlamentare, Subjekti B siguron 1 dhe Subjekti C nuk siguron dot mandat.
Me fjalë të tjera, atë mandat që mund t’i takonte subjektit më të vogël me formulën strikte përpjestimore, e merr subjekti më i madh me formulën D’Hont…