“Telefonat personal, në 4 vite të punës së SPAK, u kthyen burimi kryesor i hetuesve në zbërthimin e mekanizmit të korrupsionit të zyrtarëve. Dosje të rëndësishme, duke nisur nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, të dosja e njohur për publikun si 5D, apo edhe ajo ndaj ish-presidentit Ilir Meta, do të kishin qenë të vështira për t’u finalizuar me masa sigurimi, pa të dhënat e përftuara nga pajisjet telefonike. Nga 2021, sektori i ekspertizës së SPAK, analizoi 1152 telefona celularë të sekuestruar për efekt të hetimeve”, raporton gazetarja e Tv Klan Bleona Metushi.
Të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Posaçme tregojnë se numri i sekuestrimeve ka ardhur në rritje që nga nisja e punës së sektorit të ekspertizës në SPAK deri në 2024, vit kur janë analizuar 344 pajisje telefonike.
Kompjuterat, DVR apo edhe USB-të janë në numër më të vogël në mesin e pajisjeve elektronike që janë analizuar nga ky sektor me qëllim sigurimin e provave për hetimet.
Më konkretisht në 4 vite janë sekuestruar 185 pajisje kompjuterike dhe 78 DVR dhe USB.
Kryesisht me sekuestrimin e pajisjeve telefonike është vepruar në raste të hetimeve të çështjeve të korrupsionit, ku vendimet e gjykatës së Posaçme janë ekzekutuar direkt nga hetuesit e BKH-së.
Objekt i sekuestrimit të telefonave, janë bërë zyrtarë, punonjës të kompanive private apo sipërmarrës.
Gjatë 2024, ekspertët e këtij sektori kanë kryer edhe 15 akt ekspertime për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Policinë e Shtetit.