Ballina Lifestyle Vetëvritet Virginia Giuffre, gruaja që akuzoi Princin Andrew dhe Jeffrey Epstein për...

Vetëvritet Virginia Giuffre, gruaja që akuzoi Princin Andrew dhe Jeffrey Epstein për abuzim seksual

22
0

Virginia Giuffre, gruaja që qëndroi në qendër të një prej skandaleve më të mëdha të abuzimit seksual të dekadës së fundit, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare. Sipas njoftimit të bërë nga familja e saj, ajo ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e saj në Australinë Perëndimore.

Giuffre u bë e njohur në mbarë botën pasi akuzoi financierin Jeffrey Epstein, të dashurën e tij Ghislaine Maxwell dhe Princin Andrew të Britanisë së Madhe për abuzim seksual. Ajo pretendonte se ishte trafikuar te princi kur ishte vetëm 17 vjeçe — akuzë që Andrew e ka mohuar kategorikisht.

Familja e saj e përshkroi atë si “një luftëtare të palodhur kundër abuzimit seksual,” por theksoi se “peshën e traumave të përjetuara nuk mundi ta mbante më.”

Policia australiane ka konfirmuar se vdekja nuk konsiderohet e dyshimtë.

Giuffre kishte jetuar me tre fëmijët dhe bashkëshortin e saj, Robert, me të cilin thuhej se ishte ndarë pas 22 vitesh martesë.

Vetëm tre javë më parë, ajo kishte ndarë në Instagram lajmin se kishte qenë pjesë e një aksidenti automobilistik, por autoritetet më pas sqaruan se incidenti nuk ishte serioz.

Pas deklaratave të saj publike për Epstein dhe rrjetin e tij të fuqishëm të abuzuesve, Virginia u kthye në një prej figurave më të njohura të lëvizjes globale #MeToo. Në vitin 2022, Princi Andrew arriti një marrëveshje financiare jashtë gjyqit me të, duke e mbyllur rastin pa pranuar fajësinë.

Jeffrey Epstein, ndërkohë, kreu vetëvrasje në vitin 2019 në një qeli paraburgimi në SHBA, ndërsa Ghislaine Maxwell është dënuar me 20 vite burg për rolin e saj në abuzime dhe trafik seksual të të miturve.

Vdekja e Giuffre ka tronditur sërish opinionin publik dhe ka hapur një diskutim të ri mbi pasojat afatgjata të abuzimit dhe mungesën e mbështetjes së mjaftueshme për viktimat.