Me rastin e 26-vjetorit të Masakrës së Mejës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar këtë ngjarje të dhimbshme si një nga plagët më të thella të historisë së vendit. Ajo theksoi se çdo person i vrarë dhe i zhdukur dhunshëm gjatë luftës përbën një betim të përhershëm për drejtësi.
“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se mbetet e gjallë shpresa për një të ardhme me më shumë drejtësi.
Në nderim të viktimave të Mejës, Skivjanit dhe Prejlepit, homazhe ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai kujtoi se më 27 prill 1999, në Mejë, forcat serbe kryen një nga masakrat më të mëdha, duke vrarë 377 shqiptarë të të dy besimeve, shumë prej të cilëve ende mbeten të zhdukur.
“Ne nuk rreshtim së kërkuari, as së kujtuari. Na mungojnë në çdo festë, në çdo gëzim. Plagët e luftës nuk do të mbyllen pa ndriçimin e plotë të fatit të çdo të pagjeturi,” shkroi Haradinaj, duke nënvizuar se Kosova jeton e lirë falë sakrificës së dëshmorëve dhe ndihmës së botës së lirë, shkruan Insajderi.
Në shënimin e kësaj dite, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se Masakra e Mejës mbetet një plagë e pashëruar për Kosovën dhe popullin e saj. Ai kujtoi dhimbjen e asaj dite të rëndë dhe nënvizoi se drejtësia për viktimat dhe zbardhja e fatit të 1617 personave të zhdukur është ende një detyrë kombëtare.
“Sot, gjithandej Kosovës japim nderimet tona për civilët e vrarë dhe dëshmorët e rënë. Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmimi i vet jetës – sikurse i 376 civilëve të Mejës,” ka shkruar Abdixhiku.
Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, zyrtarët e lartë të shtetit bënë thirrje për drejtësi të plotë dhe mos-harrim të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.