Nga Alban Daci
Rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit do të jetë i tillë që Partia Socialiste nuk do të ketë numrat për të krijuar Qeverinë dhe po ashtu Partia Demokratike nuk do të sigurojë numrat për të marrë pushtetin!
Subjektet e reja do të thyejnë dominimin e dy subjekteve të mëdha duke hapur skenare të reja që do të shënojnë fillimin e rrëzimit të binomit politik që ka dominuar për thuajse 34 vite tranzicionin.
1. Skenari i parë, PS bën marrëveshje me disa nga subjektet e reja që do të kenë mandate për të formuar shumicën e mjaftueshme për të qeverisur. Në fakt , edhe pse kjo duket e pamundur, sepse janë parti opozitare, pas mbarimit të zgjedhjeve edhe kur kompromisi duket i pamundur, ai mund të arrihet, sepse qëllimi final i subjekteve është marrja ose të qenit pjesë e pushtetit.
2. Skenari i dytë, PD bën marrëveshje me subjektet e reja si mundësi e vetme për të krijuar numrat e nevojshme për të krijuar qeverisjen e marrjen e pushtetit.
Nëse kjo ndodh, PD nuk e dikton marrëveshjen, por është e kushtëzuar nga kërkesat e aleatëve të mundëshme vetëm për të marrë pushtetin e mundur Ramën.
Realiteti mund të duket i paimagjinueshëm nga demokratët, por jo nga Berisha e drejtuesit e tjerë të PD që janë të përgatitur për një moment të tillë që mund të jetë kushti, Berisha jo Kryeministër dhe disa ministri të rëndësishme t’i marrin “aleatët”.
Parimisht do të jetë e vështirë nga Berisha, sepse aleatët e mundshëm dhe të nevojshëm janë pikërisht ish bashkëpuntorët e tij që i ka sulmuar pa mëshirë me qëllimin final për t’i eliminuar politikisht!
Ka shumë gjasa që Shehaj dhe Basha të jenë pjesë e rëndësishme e pushtetit të ri nëse PD do të krijojë me këta si opsion i vetëm shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Berisha ka precedent historik që kur bëhet fjalë për pushtet, bën marrëveshje edhe me Metën. Nëse sot për ndjekësit e tij duket e pamundur të ndodhë kjo, pas zgjedhjeve, nëse ky është opsioni i fundit që Berisha të mund Ramën, ai nuk e ka problem që politikisht t’a bëj!
3. Skenari tjetër është Berisha-Rama marrëveshje për të bashkëqeverisur së bashku si opsioni i vetëm me ruajtur establishmentin dhe për të nxjerrë jashtë sistemit subjektet e reja politike.
Disa mund të betohen se s’ka shanse të ndodhë. Megjithatë, për të mbrojtur establishmentin, Berisha e Rama kanë dhënë disa prova që nëse duhen t’a bëjnë e bëjnë e këto janë ndryshimet kushtetuese në 2008 apo edhe marrëveshja për Kodin Zgjedhor për këto zgjedhje. Kjo marrëveshje edhe pse mund të duket e sukseshme në planin afatmesëm, në fakt do të rezultonte me pasoja të mëdha politike për këto dy subjekte në zgjedhjet e para që do të bëheshin.
4. Skenari opsional është që PD e PS nuk sigurojnë numrat për të qeverisur, nuk bëjnë aleancë me subjektet e reja e as me tyre për të siguruar numrat e shumicës për qeverisje dhe vendi do të shkonte përsëri në zgjedhje përsëri në zgjedhje. Atëherë humbja e dy partive të mëdha do të ishte katastrofike aq sa thuajse duke i eliminuar nga sistemi politik.
Njëri nga këto skenare është i sigurt pas zgjedhjeve. Cili? Kjo varet nga ngjarjet, numrat dhe sjelljet e subjekteve të reja! Berisha e Rama nuk do të jetë fitues të zgjedhjeve për të marrë të vetëm dhe ekskluzivisht pushtetin! Kjo do të jetë risia më e madhe e këtyre zgjedhjeve duke shënuar fundin e binomit politik PS-PD që kanë dominuar trancioonin shqiptar.