Ballina Politika “Do ngjis hekurat e burgut 313”/ Meta nga burgu: SPAK mburojë e...

“Do ngjis hekurat e burgut 313”/ Meta nga burgu: SPAK mburojë e krimit!

49
0

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Andrea Danglli për emisionin “Off the Record” në A2 CNN.

Në këtë bashkëbisedim, të vështirë, për shkak se kreu i PL ndodhet pas hekurave të paraburgimit 313, Ilir Meta foli për ditët e tij në qeli, fushatën zgjedhore dhe pritshmëritë nga zgjedhjet e 11 majit si dhe konfirmoi de nuk ka ndryshuar qëndrimin për SPAK.

Intervista e plotë e Ilir Metës për “Off the Record”

Andrea Danglli: Z.Meta, jemi pak ditë nga dita e zgjedhjeve e cila këtë herë është shumë ndryshe nga gjithë fushatat elektorale që keni kryer. Si po e zhvilloni fushatën elektorale nga qelia dhe si mendoni që situata ku gjendeni do të ndikojë në rezultatin e Partisë së Lirisë?

Përgjigje: Fushata ime ecën me ritme të shkëlqyera, nga 80-150 letra në ditë. Ajo filloi me 50-100 letra në ditë dhe do të përfundojë me 200 letra në ditë besoj. Po kështu jam i bindur se Partia e Lirisë ecën e sigurt drejt 12 mandateve të saj (4+8). Unë u rrëmbeva në 21 Tetor në mënyrë banditeske, siç u rrëmbye Aldo Moro në Itali nga brigadat terroriste, pikërisht për shkak të 11 Majit, që Rama të grabisë 1 mandat të katërt, por gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Njerëzit e Partisë së Lirisë, kudo po punojnë në terren dhe më mirë se një pjesë e strukturave. Jam çdo ditë në kontakt me dhjetëra e qindra prej tyre.

Andrea Danglli: ditën tuaj elektorale në liri e dimë, si është sot një ditë e presidentit të Partisë së Lirisë?

Përgjigje: Që nga momenti i shpalljes së emrit në listat e hapura, dita ime ka ndryshuar shumë. Pasi prioriteti Nr. 1 është leximi i letrave që vijnë dhe shkrimi i letrave për bashkëpunëtorët, anëtarët e Partisë së Lirisë, por edhe shokët e miqtë  që nga fëmijëria, shkolla, gjimnazi, universiteti, sporti etj.

Andrea Danglli: Çfarë po bën më shumë Ilir Meta në fushatë që s’mund ta bënte një zyrtar tjetër i Partisë së Lirisë nëse do të kandidonte?

Përgjigje: Për ditëlindje, Milka, një kushërira ime e mrekullueshme, më kishte dërguar 3 citate nga njerëz të mëdhenj. Citati i tretë i zgjedhur prej saj, është më i sakti për gjendjen time dhe është pikërisht ajo që unë po bëj. Meqenëse ajo ka qenë zyshë e anglishtes, ma ka dërguar në anglisht duke ju referuar Theodore Roosvelt: “Do wohat you can, with what you have, where you are” – “Bëj ç’të mundesh, me atë që ke, kudo ku je”. Edhe unë, me stilolapsa, letra, por herë pas here edhe mesazhe audio, po bëj çdo gjë për të vënë në lëvizje qindra e mijëra kolegë e miq për të shkuar drejt qindra e mijëra shqiptarëve, për të përçuar mesazhin e fitores në 11 maj.

Andrea Danglli: Zoti Meta, duke qenë se financimi i partive zgjon jo pak herë polemika. Si po i siguroni fondet si forcë politike për fushatën zgjedhore? Çfarë fushate po bën partia juaj?

Përgjigje: Se si financohet fushata e Partisë-Shtet dihet botërisht, nga krimi, inceneratorët e PPP. Fushata e Partisë së Lirisë është më modestja por, edhe do rezultojë më e suksesshmja dhe më efikasja. Fushata ime vetëm me letra, stilolapsa e karta telefonike. Ndërsa unë ju përgjigjem juve, janë mijëra njerëz që kërkojnë votën për Nr.1 dhe për Ilir Metën në qarkun e Tiranës. Çdo ditë Tedi, Erisa dhe kolegë të tjerë që dalin në terren më dërgojnë të fala nga miq të para shumë kohëve që kanë ardhur edhe nga SHBA, Gjermania, Kanadaja, Greqia e që kanë nisur fushatën për mua, pa ua kërkuar askush. Kjo është fushatë zemrash, jo lekësh.Ndaj rezultati do jetë spektakolar.

Andrea Danglli: Keni deklaruar se koalicioni juaj do të marrë 84 mandate, pse jo 83 apo 85? Këtë deklaratë e mbështesni në sondazhe, në analiza logjike të situatës ku gjendet vendi apo është parashikimi juaj personal?

Përgjigje: Pa diskutim që rezultati i synuar nga unë dhe Partisë e Lirisë është i bazuar në sondazhe dhe analiza logjike. Thonë se nuk ka vend më të mirë se burgjet për të kuptuar se çfarë ndodh jashtë. Dhe unë e kam shumë të qartë se çfarë ndodh jashtë. Mbi 90% e mediave e televizioneve, kontrollohen nga pushteti dhe s’kanë asnjë lidhje me realitetin. Unë sondazhet i lexoj shumë mirë edhe në çoroditjen e Edi Ramës, i lexoj në tmerrin e tij për të dalë përballë gazetarëve, i lexoj në urdhrin e tij për të shmangur ballafaqimet direkte të ministrave e deputetëve me drejtuesit dhe kandidatët e opozitës, në tmerrin e tij për të dalë përballë Sali Berishës se jam i bindur se do e braktis studion e debatit pa kaluar 5 minutat e para me ulërima. Atë e kanë nxjerrë nga binarët Ambrozia Meta me Babaramon, jo më Sali Berisha i cili ka një program shumë konkret që i jep ndihmë dhe zgjidhje çdo familjeje shqiptare, gjysma e të cilave janë zhytur në varfëri serioze. Po pse unë insistoj te 84 mandate? Që të zhdukim listat e mbyllura që solli Edi Rama pa Edi Ramën. Se për të qeverisur do të na mjaftonin 71 mandate që janë të padiskutueshme. Nëse Edi Rama do i besonte sondazhet që porosit vetë, apo do e kishte lojën nën kontroll të plotë, si në 2021 kur kishte të kapur përmes McGonigal dhe McGonigal-es dhe kryetarin e PD do kandidonte i 18 ose 19 në Tiranë siç kandidoi i 8 në Durrës kur kishte qepur çdo gjë jo vetëm me bandat por edhe me Lulin që pranoi vonimin  e numërimit derisa LSI të “humbiste” mandatin për 90 vota. Edi Rama po shkon drejt një katastrofe edhe pse kjo është një garë e jona me një shtet mafioz të kapur totalisht prej tij.

Andrea Danglli: Nisur nga fakti që gjendeni në paraburgim dhe nuk e dimë ende se si do shkojë procesi ndaj jush, në këto kushte, si do ti përfaqësoni qytetarët e Tiranës në Kuvend nëse zgjidheni deputet?

Përgjigje: Unë do zgjidhem pa asnjë diskutim me një rezultat që kurrë LSI se ka arritur dhe do i mbroj si askush tjetër interesat e Tiranës dhe qytetarëve të saj. Isha unë si Kryeministër që i ktheva Tiranës parkun “Rinia” në Maj-Qershor 2001 dhe që nisa operacionin e pastrimit të Lanës. Isha unë si kryeministër që mora me vendim të veçantë në mbrojtje Teatrin dhe zonën muzeale. Po kështu si president shkova vetë në Gjykatën Kushtetuese për të parandaluar shkatërrimin e paligjshëm dhe barbar të Teatrit nga Edi Rama. Në shtator unë betohem si deputet i Tiranës dhe do jem zëri i tyre më i fuqishëm dhe qeverisjen e vendit. Po kështu do jem edhe me Erisa Xhixhon që ka qenë një nga 5 deputetet më aktive të kuvendit gjatë këtij mandate dhe kryekëshilltarin  anti-korrupsion në Këshillin e Tiranës i cili e çoi para drejtësisë kryebashkiakun, para SPAKU-t dhe për një krim madhor që i ka kushtuar 140 milionë euro qytetarëve të Tiranës, e për të cilin SPAK-u  fle, se aty është vetë Edi Rama urdhëruesi dhe përfituesi kryesor i aferës që vazhdon.

Andrea Danglli: Ka shumë zëra në opinionin publik që thonë se mandati i deputetit ju nevojitet për të mbrojtur veten dhe jo qytetarët. Si do veproni për të mos e kthyer fushatën në një betejë personale për të mbrojtur veten, por të përqendrohet tek interesat e qytetarëve.

Përgjigje: Unë s’errem me zërat sorosistë se unë skam nevojë për të mbrojtur veten nga asgjë. Edi Ramës i duhet me çdo çmim pushteti se e di që Erion Veliaj, Ilir Beqja, Lefter Koka, Alqi Bllako e shumë të tjerë po bëjnë burgun e tij. Unë skam asnjë shkelje ligji në gjithë jetën time, e nëse do kishte një të tillë procesi ndaj meje do kishte nisur prej kohësh, por këta banditë ecin me faktin e kryer që të grabisin zgjedhjet e pastaj të bëhet ç’të bëhet. Pastaj besoj ju e keni ndjekur fushatën time, ajo promovon programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore e nuk merret me çështje personale. Por të mos harrojmë se rrëmbimi im kriminal nuk është çështje personale, por do hyjë në histori si një nga aktet më anti-shtetërore me qëllim terrorizimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë. Përgjigjen do e marrë më 11 Maj me votën që do të shkojë për Ilir Metën. Ndërkohë që kuptohet se si shkelen të drejtat e qytetarëve të tjerë. Mbi 2\3 në burgje janë të paraburgosur, pra të pagjykuar. Jua them me bindje se shumica e tyre ose janë të pafajshëm ose kanë harruar ti hetojnë. Ka nga ata që në dy vite paraburgim janë pyetur vetëm njëherë. Këtu kam parë që ka grup të strukturuar kriminal pse kanë ngrënë një drekë në Përmet për të trukuar një ndeshje të kategorisë së dytë në futboll, por nuk kam parë grup të strukturuar kriminal as për inceneratorët as për 5D. Drejtësia e statistikave të rrejshme është një problem i madh për shoqërinë se janë mijëra e mijëra familje që vuajnë mungesën e të afërmve të tyre e sidomos mijëra fëmijë të mitur, shumë prej të cilëve i shoh këtu kur vijnë të takojnë prindërit e tyre që ose mbahen kot ose u zvarritet hetimi pambarimisht. Reformimi i Kodit Penal dhe politikave penale do të jetë prioritet i imi dhe i Partisë së Lirisë për ti dhënë fund hapësirave abuzive që keqpërdoren nga prokurorë e gjykatës. Pra edhe kjo përvojë personale do më ndihmojë të zgjidhë një interes të madh publik. Po kështu përmirësimi i kushteve menjëherë për punonjësit e burgjeve do të jetë prioritet i imi dhe Partisë së Lirisë. Rritja e menjëhershme e pagave të tyre do jetë prioritet, se këta edhe një vakt ushqimi që iu takon nuk ua japin, ndërkohë që stresi i tyre është shumë i lartë për arsye të sigurisë që duhet të garantojnë cdo sekondë. Është skandal që në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë të ikin dritat apo të mos ketë ujë.

Andrea Danglli: Ish-kryetarja e Partisë së Lirisë, znj.Monika Kryemadhi po bën fushatë për ju në Tiranë, si e keni pritur këtë iniciativë?

Përgjigje: Të gjithë ata që janë sinqerisht kundër regjimit, janë të mirëpritur në fushatë.

Andrea Danglli: Disa nga figurat më aktive të partisë tuaj janë pozicionuar krah PS. A i druheni ikjeve të tjera nga partia juaj?

Përgjigje: E falënderojmë Edi Ramën dhe SPAK-un e tij që po na e pastron partinë dhe po i merr të gjithë përfituesit dhe njerëzit me probleme me vete.

Andrea Danglli: Ish Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i njohur si një nga bashkëpunëtorët më të afërt i juaji dhe zonjës Kryemadhi , ju ka akuzuar për shpifje dhe shantazhe, ku ka paralajmëruar ndjekjen e rrugës ligjore pas 11 Majit. Pse gjithë kjo përplasje?

Përgjigje: Ai  ishte simboli i nepotizmit në parti dhe i vetmi dëm që na bëri është se na mori financieren e Partisë për 20 vite, pa e lejuar të bënte dorëzimet në mënyrë ligjore dhe etike , siç dorëzohet një detyrë me përgjegjësi financiare. Ah po edhe databazën e partisë. Rama e kishte projektuar për kryetar të LSI , por shumë mirë që e futi në listën e tij për Tiranën se na ndihmon të marrim shumë më tepër vota socialistësh të ndershëm, që neveriten kur shikojnë shëmtira të tilla morale, që vetëm Rama mund ti pranojë nga dëshpërimi dhe perversiteti për diversion.

Andrea Danglli: Lideri i Partisë Demokratike, çdo ditë është në fushatë ku prezanton pasazhe të programit elektoral. Jeni konsultuar me të, Kur ka qenë hera e fundit që keni komunikuar dhe kush ka qenë dakordësia dhe padakordësia më e madhe?

Përgjigje: Ne kemi një program elektoral të përbashkët ku janë përfshirë 5 prioritetet tona madhore, të shpallura 1 vit më parë. Na bashkon boshti kryesor i këtij program: Shqipëria prodhuese dhe eksportuese, që është modeli i kundërt i Narkoekonomisë dhe favorizimit të importeve në dëm të prodhuesve vendas dhe eksportuesve.

Andrea Danglli: Disa nga kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhje, e kanë konsideruar aleancën me Partinë e Lirisë, si “barrë“ në kurriz të demokratëve. A jeni të kënaqur nga dakordësia e koalicionit apo keni dashur më shumë numra? Çfarë përgjigje keni?

Përgjigje: Partia e Lirisë është Parti kontribuuese dhe kurajoze. Nuk i kemi marrë mandate PD-së, por do t’i japim shumë më tepër, duke nisur nga Tirana e në të gjithë Shqipërinë. Fuqia e Partisë së Lirisë është edhe garancia për rrotacionin e tretë dhe më historik që ajo do i japi Shqipërisë, pas atij të 2005, kur i hoqi 20 mandate PS-së që bllokoi integrimin, pas atij të 2013 kur e detyroi Edi Ramën të votonte para zgjedhjeve, tre ligjet që bllokonte për integrimin. Kështu që demokratët të luftojnë fort në terren siç lufton Berisha dhe çdo gjë është ok.

Andrea Danglli: Më 11 Maj shihni kryeministër Edi Ramën siç e patë në verën e vitit 2013 apo Sali Berishën siç e patë në verën e vitit 2009?

Përgjigje: Absolutisht vetëm Berishën dhe shumë më të mirë se Berishën e dytë.

Andrea Danglli: Çfarë duhet të bëjë një lider partie nëse humbet zgjedhjet?

Përgjigje: Kjo pyetje i takon Ramës për t’iu përgjigjur.

Andrea Danglli: Si e konsideroni rolin e SPAK në këto zgjedhje, si ndihmë për opozitën apo pengesë?

Përgjigje: Asnjë ndryshim nga qëndrimet e mia koherente për SPAK. Gjithmonë mburojë e krimit elektoral. Edhe kur vepron, si kofini pas të vjelit.

Andrea Danglli: Sipas jush qëllimi i SPAK ka qenë asgjësimi i opozitës. Nëse pretendoni se akuzat ndaj jush janë të motivuara politikisht, si e shpjegoni faktin që edhe të tjerë ish-funksionarë të lartë nga parti të ndryshme po përballen me drejtësinë? A jeni viktimë e një hakmarrjeje selektive apo thjeshtë një politikan që përfundoi nën hetim si shumë të tjerë?

Përgjigje: Jo, rasti im është i veçantë pasi unë jam aktor dhe dëshmitar kyç i Reformës në Drejtësi si Kryetar i Kuvendit dhe President dhe denoncuesi kryesor i shndërrimit të saj në ramaformë, pra instrument totalisht në shërbim të ruajtjes së pushtetit të tij edhe duke

“sakrifikuar“ shumë bedele për arsye të një korrupsioni të frikshëm dhe gjoja për të krijuar idenë e “pavarësisë“, por absolutisht SPAK e ka burimin e tij te votimi antikushtetues i Arta Markut si kryeprokuror me 69 vota.

Andrea Danglli: Edhe pas publikimit të dokumenteve dhe dëshmive që kanë grumbulluar organet e drejtësisë ju vazhdoni të nënvizoni se jeni i pastër. Kush janë provat konkrete deri tani për të kundërshtuar akuzat?

Përgjigje: S’ka asnjë dokument për mua.Ju lutem publikojeni nëse ekziston një i tillë: Për shembull për Edi Ramën ekziston firma e tij që shpall kompaninë fituese ende pa “lindur”, pra pa ekzistuar juridikisht. Por këtë SPAK-u nuk e sheh. Edhe grabitjen pa maska të inceneratorit që nuk ekziston, e quan krim intelektual. Nuk ka asnjë dëshmitar ndaj meje që të provojë një shkelje, përveçse ka prova se çdo dëshmitar ka pasur probleme me shkeljen e ligjit. Shqiptarët do qeshin me dëshmitarët e SPAK-ut të Ramës. Gjithçka kundër meje është një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit. Marrëveshje midis Dumanit dhe Ramës për ti siguruar njëri-tjetrit mandate të paligjshme duke rrëmbyer e përndjekur drejtuesit kryesor të opozitës e duke ndëshkuar me regji edhe bashkëpunëtorë të Ramës për ta shitur këtë gjoja si drejtësi të pavarur. Strasburgu do jetë falimentimi i plotë i SPAK-ut ndaj edhe këta përpiqen ti zvarritin çështjet sa më shumë.

Andrea Danglli: Z.Meta si e shihni zgjidhjen e procesit ndaj jush? Sa larg është dita e lirisë?

Përgjigje: Problemi im është i zgjidhur, unë jam i lirë dhe lider edhe këtu ku jam. Problemi im është çlirimi i shqiptarëve nga ky sekt i pabesë sorosist dhe anti-shqiptar që synon degradimin e çdo vlerë kombëtare, shoqërore e familjare. Dhe këtë do ta zgjidh 11 Maji.

Andrea Danglli: Thonë se ka njerëz të lirë që jetojnë si të burgosur dhe ka të burgosur që jetojnë më të lirë se ata jashtë. Cila është jeta juaj e këtyre muajve Z.Meta? Çfarë vlen për t’u kujtuar e çfarë për tu harruar?

Përgjigje: Unë çdo ditë këtu zgjohem duke parë fotografitë e shtëpisë 100-vjeçare ku linda, të gjyshit tim në Çepan të Skraparit. Sa herë ja digjte pushtuesi ai i ndërtonte më të mëdha e më të forta.

6-PYETJE: Momentet e vështira shërbejnë për të njohur njerëzit rreth vetes. A keni pasur zhgënjime, reflektime apo befasi gjatë kësaj kohe?

Përgjigje: Sa herë gjyshërit tanë kishin momente të vështira thoshin: Malet tona më të larta. Dhe unë stërvitem këtu çdo ditë dhe një nga gjërat e para që do të bëj është ngjitja e Majës së Hekurave, pasi majat e Jezercës, Korabit, Shkëlzenit, Cikës e të tjerë i kam bërë me kohë.