Fanella e Kobi Brajant, të cilën legjenda e NBA-së e mbajti veshur në debutimin e tij me Los Angeles Lakers në vitin 1996, është shitur për 7 milionë dollarë në ankand.
Kjo ishte fanella e parë e Brajant me Lakers në edicionin 1996- 1997 dhe është bërë bluza e katërt më e shtrenjtë e të gjitha kohëve. Brajant e kaloi gjithë karrierën te Lakers, ku fitoi pesë herë titullin kampion në NBA.
“BBC” raporton se kjo fanellë është shitur për herë të parë në vitin 2013 në vlerën 115,242 dollarë, shitje që u bë shtatë vite para aksidentit tragjik, ku legjenda e NBA-së ndërroi jetë bashkë me vajzën e tij, Xhana, pas rrëzimit me helikopter.
Përsa i përket fanellës më të shtrenjtë të të gjitha kohërave, rekordin e mban bluza e legjendës së bejsbollit, Babe Ruth.
Fanella e tij është shitur për 24 milionë dollarë në gushtin e vitit të kaluar
. Fanella e Ruth-it ishte nxjerrë në ankand në vitin 2005 dhe u shit për 940,000 dollarë.
Në atë kohë, ajo ishte e lidhur me Serinë Botërore të vitit 1932, por jo me ndeshjen e quajtur “shot at-bat”. Kompani të shumta më pas e kanë lidhur fanellën me atë ndeshje, duke bërë që vlera e saj të rritej ndjeshëm.