Ballina Sport Flamur Noka reagon për kontratën e lobimit: Në përputhje me ligjet e...

Flamur Noka reagon për kontratën e lobimit: Në përputhje me ligjet e dy shteteve

29
0

Pas publikimit të kontratës prej 6 milionë dollarësh që Partia Demokratike ka lidhur me kompaninë amerikane Continental Strategy, ku është dhe firma e tij si sekretar i përgjithshëm, deputeti i PD, Flamur Noka, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai ka theksuar transparencën e plotë të kësaj marrëveshjeje dhe ka mbrojtur ligjshmërinë e saj, duke theksuar se ajo është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja shteteve dhe është depozituar në FARA, sipas kërkesave ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në vazhdim të postimit të tij, Noka ka falënderuar diasporën shqiptaro-amerikane për mbështetjen e pakursyer dhe ka theksuar forcimin e PD-së falë këtij angazhimi.

“Mesa duket se kontrata e Partisë Demokratike me avokatin e Presidentit Trump ka shqetësuar jo vetëm Edi Ramën, por edhe mbështetësit e tij. Partia Demokratike mbetet e angazhuar për transparencë të plotë në lidhje me këtë marrëveshje, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe është depozituar në sistemin FARA, sipas rregullave amerikane dhe shqiptare. Po ashtu, Partia Demokratike shfrytëzon këtë mundësi për të falënderuar atdhetarët e bashkësisë shqiptaro-amerikane për mbështetjen e tyre të pakursyer në luftën për çmontimin e narkoregjimit të Edi Ramës. Sot, falë diasporës, Partia Demokratike është më e fortë se kurrë. Ditët e Ramës janë të numëruara dhe fitorja është afër. PD bën thirrje të gjithë demokratëve që të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të fushatës, për të realizuar qëllimin final: një Shqipëri Madhështore!” – shkruan Flamur Noka.

Kujtojmë që kontrata e publikuar sot në media është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, Vlera e saj arrin në 6 milionë dollar, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Si garant i pagesës së kësaj shume ka dalë shqiptaro-amerikani Nuredin Seci.