Ballina Aktualitet Kundër projektit të rrugës, tensione në protestën në Hotolisht, banorët përplasen me...

Kundër projektit të rrugës, tensione në protestën në Hotolisht, banorët përplasen me policinë

41
0

Banorët e Hotolishtit në Librazhd po protestojnë në kundërshtim të projektit të rrugës e cila kalon në zonë.

Banorët kërkojnë shpronësime me çmime më të larta dhe ndërtimin e tunelit, ndërsa shprehen se janë shpërfillur nga ministrja Belinda Balluku edhe pse i janë drejtuar në lidhje me kërkesat e tyre.

Ndërkohë gjatë protestës ka pasur edhe tensione, ku banorët janë përplasur edhe me policinë.

“Ne i bëjmë thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar ARSH, dhe veçanërisht zonjës Belinda Balluku ministrja e infrastrukturës dhe energjisë ne kemi besim tek ju.

Kemi parë angazhimin tuaj konkret në disa zona të vendit dhe besojmë se edhe për Hotolishtin do të gjeni vullnetin për të rishikuar projektin dhe për të ndihmuar në një zgjedhje të drejtë dhe pa kosto sociale.Nëse kërkesat tona injorohen sërish mosbindja qytetare është një e drejtë legjitime, protestat do të jenë rruga jonë legjitime. Kjo protestë nuk është aq politike dhe as ideologjike, por është mbrojtja e jetës shtëpive , pronës dhe dinjitetit tonë. Mosgarancia që do të ketë qetësi sociale apo siguri udhëtare për rrugën është pasojë e kësaj mospërfillje.Ne nuk e duam këtë, por askush nuk mund të na kërkojë heshtje përballë padrejtësisë. Në një kohë ne shpresonim se zëri i qytetarëve do të mbrohej, avokati i popullit ambasadori i BE në Shqipëri dhe OSBE-ja duhet të ishin krah të drejtave tona zgjodhën rrugën më të lehtë, heshtjen. Mesa duket emergjencat e vendeve të vogla si Hotolishti nuk përbën emergjencë për këto institucione që flasin për standarde evropiane në konferenca.Ne do ja dalim kundër padrejtësive, duam zgjidhje jo lëmoshë. Do bojkotojmë zgjedhjet, dhe zëri i Hotolishtit do të dëgjohet”, thuhet në deklaratën e banorëve.