Në “Anfield” Liverpoolit i mjaftonte vetëm një pikë për t’u shpallur kampion në Premier League. Djemtë e Arne Slot përmbysën 5-1 Tottenhamin dhe sigurojnë titullin e 20-të kampion, duke barazuar rivalët e Manchester United. Katër javë nga fundi i sezonit, Liverpooli e pa veten në disavantazh pas 12 minutave lojë me golin e Solanke, por përmbysi me Diaz, Mac Allister dhe Gakpo për ta mbyllur 3-1 pjesën e parë.
Ndërkohë që në fraksionin e dytë Salah shënoi golin e katërt për t’u bërë golashënuesi i pestë më i mirë në Premier League me 185 gola. Autogoli i Udogie “vulosi” sfidën për 5-1. Kështu Liverpool feston me tifozët një titull kampion të merituar për vetë dominimin e sezonit. Me këtë sukses të kuqtë kanë 82 pikë, duke lënë pas Arsenalin me 67 pikë kur ka edhe katër javë nga fundi i sezonit.