Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me kontratën e lobimit të publikuar në media, të nënshkruar mes Nuredin Secit, një shqiptaro-amerikan që jeton në New York dhe ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të “Continental Strategy”.
Zyra e shtypit të PD-së thotë se kompania është kontraktuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan përmes fondacionit “Make Albania Great Again” dhe qëllimi është konsolidimi i marrëdhënieve të Partisë Demokratike me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA.
Sipas PD-së, pagesa është marrë përsipër për t’u paguar 100% nga shqiptarët që jetojnë prej dekadash në SHBA dhe se ajo vetëm sa ka dhënë dakordësinë, por nuk ka asnjë barrë financiare.
Kontrata kap një vlerë deri në 6 milionë dollarë që do të paguhet nga 250 mijë dollarë në muaj, për një periudhë dy vjeçare.
Reagimi i zyrës së shtypit të PD:
“Në lidhje mbi një informacion të shpërndarë në media për lobimin e PD pranë Qeverisë dhe Kongresit të SHBA dëshirojmë të sqarojmë sa vijon:
Komuniteti shqiptaro-amerikan përmes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA. Synimi i bashkëatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri.
Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij!
Kontributi financiar për realizimin e këtij qellimi është marrë përsiper 100% nga patriote shqiptare qe jetojne dhe punojne prej dekadash ne SHBA si dhe demokrate te tjere të larguar nga Shqiperia keto 10 vite per shkak te regjimit te Edi Rames!
Partia Demokratike duke falenderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe patriotizmin e tyre sqaron opinionin publik se ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marreveshje.”