Lobimi me vlerë 6 milionë dollarë i Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u diskutua në studion e Off-Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Dashamir Shehi nga koalicioni Djathtas për Zhvillim i bën thirrje administratës amerikane për ndalimin e këtyre lobimeve në vendet e varfëra dhe të vogla sikurse Shqipëria, pasi sipas tij i “rropën popujt e vet”.
Në Off the Record me Andrea Dangllin, Shehi thekson gjithashtu që nëse këto para PD do t’i hidhte për fushatë, do ta ngrinte atë me 6%.
“Paskan harxhuar paret kor po t’i kishin hedh te fushata e PD do e ngrinin 6%. Unë do t’i bëja thirrje administratës amerikane dhe presidentit, nëse na dëgjojnë në cepin e botës; Ta ndalojnë këtë punë e lobingjeve për vendet e vogla dhe të varfëra, se i rropën popujt e vet se nuk është vetëm PD që lobon, është e PS dhe ca parti të vogla. Kemi 20 vjet që lobohet merren paret haptas e mbylltas, ca me kontrata e ca pa kontrata. Nuk mund ta blejnë imazhin e Amerikës se është shëmtuar për Amerikën vet. Ata zotërinjtë që e kanë në dorë këtë punë, të bëjnë një ligj që për vendet vogla dhe ato që kanë GDP siç e kemi ne; nën 7 mijë dollarë për frymë të ndalohet lobingu për çështje politike. Unë uroj që të mos jetë i vërtetë si lajm, se do ishte e turpshme nga ana morale. Nga ana pragmatike ti kishin hedh në fushatë”.
Për Redi Muçin nga lëvizja bashkë, lobimi prej 6 milionë eurosh në SHBA nuk dëshmon patriotizmin e shqiptarëve sikurse pretendon Partia Demokratike, por kapjen e saj.
“Të dy partitë e vjetra e kanë të lidhur ekzistencën e tyre nga oligarkia ekonomike. Të thuash 6 milionë dollarë nga patriotët shqiptarë është qesharake, shuma më e madhe që mund të japë një patriot është 10 mijë diollarë. Nuk dëshmon patriotizmin e shqiptarëve, por dëshmon kapjen e PD për të bërë një gjë kaq kot. Qesharake. Në vend të që japin zgjidhje për problemet e shqiptarëve”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin.
Të njëtin mendim ndan edhe Endri Hasa nga Koalicioni Euroatlantik, i cili e quan absurd këtë lobim, i cili sipas tij nuk ka të bëjë me hallet e shqiptarëve, por me hallet personale të non-gratave. Ai u bën thirrje shqiptarëve që t’i largojnë me votë.
“Askush nuk e vret mendjen për hallet e shqiptarëve. Të gjithë kërkojnë votën për hallet që kanë me drejtësinë dhe SPAK-un. Me duket absurde që të paguhen 6 mln dollarë për të lobuar. Nuk e di për çfarë? Për ca halle personale që kanë non gratat. Shqiptarët të hedhin në kosh këta dhe fundin t’ua japin shqiptarët me votë”.