Në internet është përhapur një video e Donald dhe Melania Trump, e regjistruar gjatë funeralit të Papës Françesku në Vatikan.
Zonja e parë e SHBA-së e shpëtoi bashkëshortin e saj nga një moment potencialisht i pakëndshëm.
Gjatë meshës katolike që zgjati tre orë, në një moment të caktuar, të pranishmit u ftuan t’i jepnin njëri-tjetrit shenjën e paqes përmes shtrëngimit të duarve, por presidenti amerikan nuk mori pjesë në këtë rit.
Në video shihet se si Trump, gjatë ritualit, shikon rreth vetes i pasigurt, derisa Melania i vjen në ndihmë.
Një lexuese e buzëve, Nikola Hickling, tha për Daily Mail se Melania i kishte pëshpëritur burrit të saj që të fillonte të shtrëngonte duart, përpara se 78-vjeçari, me hezitim, t’i zgjaste dorën presidentit francez, Emmanuel Macron.
“Duhet ta bësh këtë”, i pëshpëriti Melania në vesh Trumpit, dhe më pas e përsëriti.
“Oh, mirë”, u përgjigj presidenti amerikan. Pas kësaj, ai i zgjati dorën edhe presidentit të Estonisë.
Ndryshe, Donald dhe Melania Trump qëndronin në rreshtin e parë gjatë funeralit të Papës.
Më herët ishte raportuar se lideri amerikan nuk do të merrte një vend kaq të spikatur, pasi përparësi u jepej anëtarëve të familjeve mbretërore.