Korça vijon të jetë një ndër qytetet më të kërkuara nga turistët e huaj, kryesisht nga Europa Perëndimore.
Në rrugët e Korçës është bërë e zakonshme prania e turistëve gjermanë dhe francezë, të cilët shprehen se Korça është pjesë e itinerarit të tyre në Shqipëri.
“Hera e parë në Shqipëri, po kënaqemi shumë. Na zuri shi, por qyteti është i zbukuruar.”
“Ishim nëpër Shqipëri, erdhëm edhe në Korçë. Natyra, njerëzit dhe çmimet janë të mrekullueshme. Rrugicat e vjetra janë mahnitëse.”
“Vijmë nga Gjermania, hera e parë në Shqipëri. Kohë e keqe, por gjithsesi u kënaqëm me lëvizjet në qytet. Pazari i vjetër qenka shumë i bukur, shqiptarët shumë mikpritës,” – thonë disa turistë gjermanë.
Kjo është familja franceze Beqchua, të cilët janë për herë të parë në Korçë. Ata po udhëtojnë nëpër botë dhe pjesë e udhëtimit të tyre është bërë edhe vendi ynë.
“Jemi një familje nga Franca, vendosëm të udhëtojmë nëpër botë. Erdhëm në Shqipëri, natyra shumë e bukur. Ishim në Liqenin e Prespës, tani jemi në Korçë – pazari, kisha, ushqimet, muze plot. Qytet turistik.”
“Më pëlqen Shqipëria. Sot do të vizitojmë fabrikën e birrës dhe jam i sigurt që do të rikthehemi përsëri,” – thonë disa turistë francezë.
Operatorët turistikë bëjnë me dije se këtë vit kanë rezervime 10% më shumë me turistë të huaj, krahasuar me një vit më parë.