Ballina Europë Shkrimtarja e njohur gjermane gjendet pa shenja jete

Shkrimtarja e njohur gjermane gjendet pa shenja jete

0
20

Alexandra Fröhlich, një shkrimtare gjermane 58-vjeçare, një nga më të suksesshmet në vendin e saj, është gjetur e vrarë me armë zjarri në shtëpinë e saj në Hamburg.

Sipas NDR, trupi u gjet të martën në mëngjes nga djali i saj në varkën e shtëpisë ku ajo banonte në brigjet e lumit Elba dhe hetuesit besojnë se ajo kishte vdekur për një kohë të shkurtër. Konkretisht, ata e vendosin krimin mes mesnatës dhe gjashtë e gjysmë të mëngjesit të asaj dite.

“Familjarët që e gjetën gruan pa jetë, lajmëruan zjarrfikësit, të cilët vetëm konfirmuan vdekjen e saj”, tha një zëdhënës i policisë për shtypin gjerman.

“Pas vlerësimit të gjurmëve dhe provave, hetuesit besojnë se gruaja ka vdekur si pasojë e një akti të dhunshëm”.

Autoritetet kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të marrë çdo lloj informacioni. Ata janë të interesuar të dinë nëse dikush ka vëzhguar aktivitete të dyshimta në zonë përpara se shkrimtarja të gjendej e vdekur.

Gjithashtu, një ekip policësh po pastrojnë lumin, ku spekulohet se autori i krimit e kishte hedhur armën me të cilën kreu vrasjen.

Përpara se t’i përkushtohej romaneve, Fröhlich e fokusoi karrierën e saj profesionale si gazetare duke themeluar një revistë për gratë në Ukrainë, dhe më vonë u kthye në Gjermani.

Në vitin 2012 ajo botoi librin e saj të parë “Meine russische schwiegermutter und andere katastrophen” (“Vjehrra ime ruse dhe katastrofa të tjera”), ku ajo tregoi përvojën e saj të martesës. Romani ishte për disa muaj në listën e bestsellerëve të revistës Der Spiegel, dhe më vonë u përkthye në frëngjisht.

Suksesi u pasua nga një tjetër bestseller në vitin 2016 – “Gestorben wird immer”(“Vdekja është një siguri”). Tri vjet më vonë, Fröhlich botoi “Dreck am Stecken” (“Skelete në dollap”).