Ballina Politika SPAK nisi verifikimet për kontratën e lobimit, reagon Partia Demokratike: Jemi transparent!

SPAK nisi verifikimet për kontratën e lobimit, reagon Partia Demokratike: Jemi transparent!

32
0

Partia Demokratike ka reagaur pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi se ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën 6 milionë dollarë të PD-së për dy vjet, me një firmë në Uashington DC.

Reagimi:

Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184!

Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston.

Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!

Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës!

Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër dhe i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve brenda dhe jashtë Shqipërisë të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të kësaj fushate për të realizuar qëllimin tonë final që është Shqipëria Madhështore!