Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Rroshi ka reaguar pas publikimit të një fotoje, ku shfaqej “i maskuar” në një takim elektoral të PD. Në një reagim në rrjete sociale, ai thotë se ishte me kapuçin e xhupit në kokë për faktin se jashtë po binte shi, ndërsa shton se nuk ka asnjë arsye që të fshihet apo të maskohet.
“Po !!!!!! Unë kam qenë aty me një kapuç të xhupit mbi kokë sepse jashtë po binte shi. Kaq! Për ata që më njohin, më duan apo dhe s’më duan, e dinë mjaft mirë që kjo është shumë qesharake. Sepse unë nuk jam nga ata burra që maskohem dhe aq më shumë të fshihem. Sepse nuk ka arsye as të kem frikë e as të fshihem.”, shkruan Rroshi.
Më tej, vijon duke thënë se ishte në takimin elektoral për të mbështetur kushëririn e tij, Elton Rroshin, kandidat për deputet nën siglën e PD -Aleanca për Shqipërinë Madhështore dhe se për këtë gjë “kam as frikë, as drojë e asgjë tjetër”. Sipas tij, Eltoni meriton të jetë përfaqësues i qytetarëve të Kavajës dhe qarkut të Tiranës në Kuvend
Ish-kryebashkiaku socialist me disa emra u largua nga politika përmes ligjit të dekriminalizimit. Pjesëmarrjen e Roshit në fushatë për PD e komentoi për herë të parë edhe kryesocialisti Edi Rama nga një takim elektoral në Elbasan, ndërsa tha se kur Rroshi ishte kryebashkiak ishte kriminel, ndërsa tani e ka marrë opozita.
Reagimi i plotë:
Të dashur miq. Unë as nuk fshihem e as nuk nuk maskohem !!!!!
Disa media online dhe individë pranë qeverisë, kanë shpërndarë një lajm sikur unë kisha marrë pjesë i maskuar me kapuć në një prezantimtë kandidatëve të koalicionit opozitar “Shqipëria Madhështore” në lagjen time !
Por një sqarim:
Po !!!!!! Unë kam qenë aty me një kapuç të xhupit mbi kokë sepse jashtë po binte shi. Kaq!
Për ata që më njohin, më duan apo dhe s’më duan, e dinë mjaft mirë që kjo është shumë qesharake.
Sepse unë nuk jam nga ata burra që maskohem dhe aq më shumë të fshihem.
Sepse nuk ka arsye as të kem frikë e as të fshihem.
Për ata që më njohin apo bëjnë sikur s’më njohin, kam dëshmuar t’i bëj ballë situatave politike shumë më agresive.
Dua të sqaroj qytetarët e qytetit tim, Kavajën time të dashur!
Dua të sqaroj miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët politikë dhe jo vetëm!
Unë nuk i fshihem askujt e nuk maskohem prej askujt.
Unë isha në atë takim elektoral sepse unë mbështes kushuririn tim, djalin e xhaxhait, birin e Kavajës, Elton Rroshi.
Dhe për të mbështetur njeriun e familjes time, unë nuk kam as frikë, as drojë e asgjë tjetër…….. OK!
Eltoni është një djalë i mrekullueshëm, një njeri i ndershëm dhe unë do ta mbështes jo vetëm pse është njëri i fisit tim, por sepse Ai meriton të jetë një përfaqësues i qytetarëve të Kavajës, dhe qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.