Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka shpalosur programin e shëndetësisë në një takim të zhvilluar me ekspertë të sistemit të shëndetësisë. Basha tha se parimi “paraja ndjek pacientin”, ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e shëndetësisë, duke përcaktuar çmimet e diagnozave dhe trajtimeve në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ai theksoi se Shqipëria ka mundësinë financiare për të ofruar një shërbim shëndetësor të nivelit të standardeve ndërkombëtare, si ai italian, me efikasitet më të lartë. Pjesë të programit Basha tha se është edhe rimbursimi sipas diagnozës, veçanërisht për pensionistët, me qëllim që të eliminohet kostoja e barnave për ata që janë në nevojë. Një tjetër pikë ku u ndal ishte edhe reforma në sistemin farmaceutik. Ai tha se qeveria aktuale largoi praktikën e homologimit të barnave dhe hapjen e tregut për barna me origjinë të dyshimtë. Sipas tij, do të ketë një sistem të rreptë kontrolli për barnat, duke u fokusuar në medikamentet e homologuara nga vendet me standarte të larta të shëndetësisë dhe eliminimin e barnave të pasigurta.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Konkluzioni tjetër është shqipërisë sot nuk i mungojnë financat për të reformuar rrënjësisht sistemin shëndetësor dhe për t’i ofruar pacientëve shqiptarë në totalitet një shërbim pse jo i standartit italian, me minimalisht të njëjtën kosto që harxhojnë sot por me gjasa edhe me një efiçencë më të lartë nëse sistemi reformohet. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne kemi detajuar në propozimin tonë programor.
Parimi i parë është paraja ndjek pacientin. Paraja ndjek pacientin do të thotë transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjshmëri në institucionet aktuale të shëndetit publik duke filluar me hartimin e grupeve të diagnozave dhe çmimimin e tyre sipas praktikave më të mira bashkëkohore. Nuk po them që do kalojmë nga zero në majë menjëherë, por gradualisht çmimin e diagnozave dhe çmimimin e trjatimeve në sistemin tonë publik, me qëllim që destini i parasë publike me sistemin aktual të bëhet sipas ofrimit të shërbimit.
Përgjegjësia e spitaleve si ndërmarrje me përgjegjësi financiare për veten e tyre, specializimi i tyre. Dyfishimi i kapaciteteve univeristare për të diplomuar mjekë të rinj, po e njëjta gjë edhe për sektorët e tjerë të shëndetësisë që nga infermieria e të tjera. Investime thelbësore publike. Infrastruktura e fakulteteve dhe e universiteteve mjekësore dhe mundësinë e tyre për të ofruar një arsimim realisht dinjitoz dhe efiçentë për mjekët tanë të ardhshëm që do t’i shërbejë edhe trjatimit të plagës aktuale po pse jo dhe të vazhdueshme, se ne duhet të jetojmë me këmbë në tokë të largimit të një pjese të mjekëve në kërkim të një të ardhme më të mirë në Europën perëndimore, gjë që nuk zgjidhet duke vendosur klonin me gjemba për mjekët e rinj. Një mentalitet shumë i vjetër, puro bolshevik. Por zgjidhet vetëm duke rritur përmasat e ofertës tonë dhe duke përmirësuar kushtet e personelit shëndetësor, qoftë në institucionet aktualisht publike me synim kapjen drejt vetëadministrimit. Qoftë duke i dhënë mundësi sektorit privat, pa cënuar parimin paraja ndjek pacientin të japin shërbime me efiçencë pavarësisht prej mundësive apo pamundësive ekonomike të qytetarit.
Dhe këtu vij te karta shëndetësore e pacientit shqiptar, për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe digjitalizimi i këtyre të dhënave në mënyrë që në 2025, kur edhe shumë segmente të ekonomisë e të rinisë shqiptare arrijnë të korrin benefitet e erës digjitale, edhe pacientet shqiptarë edhe sistemi shëndetësor shqiptar, të kenë mundësinë që bazën e të dhënave për pacientit, mos të jetë më një çështje kartelash, letrash që shkojnë apo nuk shkojnë në destinacion, por të jetë gjithçka e degjitalizuar.
E fundit që dua të prek, ka të bëjë me sistemin farmaceutik. E kam thënë dhe dua ta përsëris, mafia e barnave vret më shumë shqiptarë se çdo lloj tjetër mafie. Arsyeja pse kjo ka ndodhur është sepse kjo qeveri 12 vite më parë e hoqi praktikën e homoligimit të barnave, i hapi rrugë barnave me origjinë të dyshimtë, gjë që merr fund me programin tonë që ditën e parë. Çfarë do të thotë kjo, të gjitha barnat e homologuara me Bashkimin Europian, Kanadanë, SHBA, Britaninë e Madhe, Australinë, Zelandën e Re, Japoninë, Zvicrën, Norvegjinë e ndonjë vend tjetër që mund të kem harruar, të gjitha këto barna nuk i nënshtrohen një kontrolli tjetër laboratorik, por sigurisht konsiderohen të sigurta në sistemet shëndetësore të këtyre vendeve padiskutim më të avancuara dhe me standartin më të lartë të jetesës dhe shëndetësisë në botë, ashtu futen në qarkullim këtu, Çdo medikament tjetër që vjen nga një origjinë tjetër, padiskutim që do t’i nënshtrohet kontrlleve më të rrepta dhe më rigoroze për të pamundësuar futjen e barnave të lira dhe jo efektive që shiten këtu për të favorizuar një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin dhe që në rastin më të mirë nuk kanë efektin e dëshiruar dhe në rastin më të keq janë kundër produktive në procesin e mjekimit të pacientëve shqiptarë. Që do të ndiqet nga një tjetër parim i reformës shëndetësore, që është rimbursimi sipas diagnozës. Kjo do të jetë në radhë të parë për pensionstët, ku vet qasja jonë synon të zerojë koston e barnave për moshën e tretë. Kjo do të arrihet me parimin e rimbursimit sipas diagnozës dhe në raste të veçanta, siç i dimë as vendet më të avancuara nuk i mbulojnë gjithçka, me paketa fikse, në veçanti për pensionet në 300 mijë lekë të vjetra.