Ballina Ekonomia Banka e Shqipërisë: Sfidat për sektorin bankar dhe financiar janë në rritje

Banka e Shqipërisë: Sfidat për sektorin bankar dhe financiar janë në rritje

17
0

Deklarata e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë 2024 vlerëson se ecuria e sektorit financiar ishte pozitive, por ndërkohë sfidat për të ardhmen vlerësohen në rritje.

Sipas Deklaratës së Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024 veprimtaria e sektorit u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.

Depozitat dhe kreditë u zgjeruan pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, kapitalizimi i veprimtarisë mbeti në nivele të mira, ndërsa fitimi u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Sipas bankës së Shqipërisë, rreziqet e veprimtarisë vlerësohen në nivele të kontrolluara dhe, në tërësi, sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj tyre.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë shprehet se sfidat për veprimtarinë bankare dhe financiare vlerësohen në rritje, ndaj performanca më e mirë financiare duhet të përdoret nga bankat për të përmirësuar infrastrukturën e administrimit të rreziqeve.

Në tërësi, ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar në vend kanë treguar një qëndrueshmëri të mirë. Zhvillimet ekonomike kanë qenë të qëndrueshme, dhe treguesit makroekonomikë mbeten në nivele mjaft të mira. Këto zhvillime konfirmohen edhe nga treguesit e Hartës së Stabilitetit, e cila reflekton rreziqe më të ulëta dhe relativisht të kontrolluara në treguesit që lidhen me familjet, bizneset dhe qeverinë.

Ndonëse zhvillimet e brendshme ekonomike shfaqen pozitive, pasiguria nga zhvillimet ndërkombëtare është rritur. Mbetet për t’u vlerësuar shkalla e ashpërsimit të tensioneve tregtare dhe ecuria e konflikteve ushtarake në Evropë dhe më gjerë, por Banka e Shqipërisë mendon se ndikimi i tyre në ecurinë ekonomike të kontinentit mund të jetë më i lartë se më parë. Nëse ato shoqërohen me rritje të presioneve inflacioniste, rënie të të ardhurave dhe rënie të konsumit në ekonominë evropiane, kjo ka mundësi të reflektohet edhe në ekonominë e Shqipërisë.

Drejtimi kryesor mund të jetë në formën e rënies së konsumit të jorezidentëve në ekonominë shqiptare, i shfaqur në format e rënies së dërgesave të emigrantëve dhe të investimeve të huaja direkte, apo edhe rënies së eksportit të shërbimeve.

Në vrojtimin periodik që kryhet me bankat, ky faktor është evidentuar prej tyre si burimi kryesor i rrezikut, i ndjekur prej ndjeshmërisë nga sulmet potenciale kibernetike. Si edhe më parë, Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar duhet të ruajë një monitorim të kujdesshëm për ekspozimet e tij në tregun e pasurive të paluajtshme, për hendeqet në afatet e maturimit mes aktiveve dhe pasiveve, dhe për ndikimet nga lëvizjet në normën e interesit.

Rritja e kredisë shfaqet e shpejtë dhe, ndonëse standardet e kreditimit mbeten aktualisht të mira, ekziston mundësia që ato të dobësohen në kushtet e konkurrencës mes bankave. Për vendosjen e stimujve më të drejtë në ecurinë e kredisë, në zbatim të politikës makroprudenciale, në muajin dhjetor 2024, Banka e Shqipërisë rriti kërkesën për shtesën makroprudenciale kundërciklike të kapitalit, në nivelin 0.5%./Monitor