Më 31 Janar 1925, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, pasi Asambleja Kushtetuese votoi nenin 6 të kushtetutës: “Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.”
Që nga kjo datë kushtetutat janë ndërruar shumë herë, por ky nen ka mbetur i pa ndryshuar pavarësisht dyshimeve.
Delegatët e parlamentit të cilët më 21 janar 1925 e shpallën republikën e parë shqiptare, morën vendimin e radhës edhe për Tiranën.
Pra, 10 ditë më vonë shpallën Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë dhe që atëherë Tirana vetëm ka lulëzuar dhe është rritur.
Kongresi i Lushnjës, i mbledhur më 21-31 janar 1920, në rolin e një asambleje kombëtare nuk diskutoi dhe as caktoi kryeqytetin e Shqipërisë sepse i tillë ishte Durrësi.
Pas mbarimit të punimeve të kongresit, Këshilli i Naltë dhe qeveria u nisën në Durrës, por nuk e lejuan nga italianët të futeshin aty.
Të dy organet e larta bënë një mbledhje të përbashkët në Kavajë më 5 shkurt 1920, prej ku dolën me vendimin që të vendoseshin përkohësisht në Tiranë deri në zgjidhjen e çështjes së kryeqytetit.
Si Këshilli i Naltë ashtu edhe qeveria nuk kishin tagër të caktonin kryeqytetin. Në këtë mënyrë, nga mbledhja e Kavajës, Tirana u bë kryeqytet i përkohshëm. Më 11 shkurt 1920 Këshilli i Naltë dhe Këshilli i Ministrave hynë në Tiranë (kryeministri mungonte).
Çështja e kryeqytetit si dhe e formës së regjimit ishin në qendër të fushatës zgjedhore të vitit 1923.
Forcat politike të kësaj kohe kishin në programet e tyre që kryeqyteti i vendit të ishte një nga këto qytete: Shkodra, Tirana, Vlora dhe Elbasani.
Ndërkohë Durrësi vazhdonte të ishte juridikisht kryeqytet i vendit. Përfundimisht Tiranën kryeqytet, 31 janar 1925 e vendosi Ahmet Zogu dhe forca e tij politike, e cila në Kuvendin Kombëtar miratoi kushtetutën e Republikës Shqiptare.