Ballina Kronika Durrës/ Kanosi borxhliun për 1200 euro dhe i grabiti makinën, ‘Debt’ prangos...

Durrës/ Kanosi borxhliun për 1200 euro dhe i grabiti makinën, ‘Debt’ prangos 37-vjeçarin e kërkuar! I gjenden drogë dhe municion

176
0

Policia e Durrësit arrestoi sot një 37-vjeçar të kërkuar, i cili akuzohej se kishte kanosur për shkak të një borxhi 1200 euro të pashlyer një person, duke i marrë me forcë edhe automjetin.

Burime zyrtare bënë me dije sot se lokalizuan dhe prangosën sot (31 Janar), të dyshuarin Ergys Vogli, gjatë operacionit të koduar “Debt”.

Ngjarja kishte ndodhur dy javë më parë. Në momentin e ndalimit, në banesën e këtij shtetasi u gjetën një sasi kanabisi e ndarë në doza gati për shitje, dhe një sasi municioni luftarak.

Si prova u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike dhe municioni luftarak. Operacioni u bë nga forcat ‘Shqiponja’ dhe Sektori Kundër Krimit dhe Narkotikëve.

“Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi E. V., 37 vjeç (Ergys Vogli), banues në Durrës, pasi dyshohet se më datë 17 Janar 2025, me anë të kanosjes dhe shtrëngimit, i ka marrë automjetin një shtetasi, sepse pretendonte se ky i fundit i kishte borxh 1200 euro”, bën me dije policia vendore.