Ballina Europë Paralajmërimi i Trump për vendosjen e tarifave ndaj bllokut evropian, Macron: BE...

Paralajmërimi i Trump për vendosjen e tarifave ndaj bllokut evropian, Macron: BE do të ngrihet në këmbë nëse…

73
0

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian do të “ngrihet në këmbë” nëse interesat e tij cënohen nga tarifat që mund të vendosë Presidenti Trump. Gjatë mbërritjes në Bruksel për një takim me liderët e BE-së, Macron tha se Evropa do të reagojë fuqishëm nëse SHBA sulmon interesat e saj komerciale.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka shprehur gatishmërinë e BE-së për të reaguar ndaj çdo takse tregtare nga SHBA, megjithatë ai theksoi se qëllimi i parë është bashkëpunimi. Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, paralajmëroi se një luftë tregtare nuk ka fitues, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi një gabim të madh një luftë të tillë dhe theksoi nevojën për të bashkuar aleatët kundër kërcënimeve të tjera si ato nga Rusia dhe Kina.

Në përgjigje të kërcënimeve të Trump për të vendosur tarifa ndaj Evropës, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, theksoi nevojën për një përgjigje kolektive dhe të fuqishme të BE-së, duke e bërë të qartë se Danimarka nuk do të mbështeste një luftë mes aleatëve.

Në fund të javës, Trump vendosi tarifa të larta për Kanada, Meksikë dhe Kinë, duke shkaktuar reagime nga këto vende. Ai gjithashtu ka paralajmëruar se tarifat ndaj BE-së janë në shqyrtim, duke shprehur shqetësimet për deficitin tregtar mes SHBA-së dhe BE-së dhe kërkuar që Evropa të importojë më shumë produkte amerikane. Trump ka theksuar se afati për vendosjen e tarifave ndaj Evropës do të jetë shumë shpejt, duke u ankuar se Bashkimi Evropian e ka trajtuar SHBA-në “tmerrësisht keq”.