Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shërehet se Shqipëria ka çmimet më të larta të ushqimeve dhe shërbimeve, ndërsa qytetarët përballen me taksa të larta, paga të ulëta dhe një sistem shëndetësor të kushtueshëm.
Në një postim më facebook, Basha shkruan se qeveria favorizon interesat e klientëve të saj, ndërsa vendi, sipas Bankës Botërore, ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon.
Ai u bën thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për një ndryshim të vërtetë, duke zgjedhur një ofertë programore që synon uljen e taksave, nxitjen e investimeve dhe fuqizimin e shtresës së mesme.
“Vota juaj është fuqia për të ndërtuar një jetë më të mirë këtu, në vendin tonë,” shkruan Basha.
Postimi i plotë i Bashës:
Shqipëria është ndër vendet me çmimet më të larta të ushqimeve dhe shërbimeve, qytetarët tanë paguajnë më shumë para nga xhepi për shërbim shëndetësor dhe ilaçe, kanë taksat më të larta dhe pagat e pensionet më të ulëta.
Qeveria nuk është e shqetësuar për hallet e qytetarëve, por pasuritë e shqiptarëve i përdor si pronë private për përfitime të klientëve të saj.
A do të pranojnë më shqiptarët të trajtohen si dele nga politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin, të cilët, sipas Bankës Botërore, e kanë lënë Shqipërinë me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon?
Më 11 maj, ju e keni në dorë ndryshimin, për të lënë pas një qeveri që punon vetëm për vete dhe për të zgjedhur një ofertë programore të mirëstudiuar, që e vendos potencialin e vendit në shërbim të çdo shqiptari.
Në qendër të programit tonë është mirëqenia juaj: një ekonomi që inkurajon sipërmarrjen, tërheq investitorët përmes taksave të ulëta, krijon vende pune me paga të larta, inkurajon prodhimin vendas dhe fuqizon shtresën e mesme.
Vota juaj më 11 maj 🗳️ është fuqia juaj për të ndërtuar një jetë më të mirë këtu, në vendin tonë.
Shqipëria meriton më shumë 🇦🇱