Nga Eduard Zaloshnja
Gjatë muajve të fundit, Edi Rama dhe politikanë të tjerë të PS-së e kanë shpallur publikisht objektivin e sigurimit të 84 mandateve në zgjedhjet e 11 majit. Por Barometri i fundit i MRB Hellas & DataCentrum (realizuar me 1600 të anketuar në gjithë terrenin e Shqipërisë) tregoi se vetëm 40.5% e banorëve të këtushëm në moshë për votim do t’ia jepnin sot votën PS-së. Me ekstrapolim të përafërt të shifrave të sondazhit, rezulton se rreth 760 mijë zgjedhës të këtushëm ia japin qysh sot votën PS-së.
Sipas Barometrit, vetëm 24.9% e banorëve të këtushëm në moshë për votim do t’ia jepnin sot votën PD-së. Me ekstrapolim të përafërt të shifrave të sondazhit, rezulton se rreth 480 mijë zgjedhës të këtushëm ia japin qysh sot votën PD-së.
Sipas Barometrit, për të gjitha partitë e vogla do të votonin sot plot 15.5% e banorëve të këtushëm në moshë për votim. Me ekstrapolim të përafërt të shifrave të sondazhit, rezulton se rreth 300 mijë zgjedhës të këtushëm ia japin qysh sot votën partive të vogla.
Ndërkohë, 19.1%, ose rreth 400 mijë zgjedhës të këtushëm nuk ia japin sot votën asnjë partie.
Po të bënim një mbledhje mekanike të të gjitha votave opozitare, PS-ja do ta kishte vështirë të merrte të paktën 71 mandate, e jo më 84 mandatet që synon. Por problemi është që, nëse PD-ja arrin t’i mbledhë rreth vetes në një koalicion të përbashkët të gjitha partitë opozitare, shumë votues të partive të vogla nuk do të merrnin fare pjesë në zgjedhje. Sepse rreth siglave të tyre mblidhen votues opozitarë që janë zhgënjyer nga PD-ja e Berishës…
Po a mund të mblidhen të gjitha partitë e vogla opozitare në një koalicion të përbashkët, të veçantë nga PD-ja?
Përplasjet e fundit Lapaj-Shehaj dhe Qori-Lapaj nuk janë një ogur i mirë për bashkimin e gjithë partive të vogla në një koalicion paralel opozitar. Edhe PSD-ja e Doshit nuk ka gjasa të bashkohet me partitë e tjera të vogla. Ndërkohë, PL, PR, PAA e ndonjë tjetër priten të futen në vathën e Berishës. Ndërsa ndër partitë e vogla anti-berishë, pritet vetëm një bashkim në miniaturë Shehi-Alibeaj-Basha. Duke garuar të përçara, partitë e vogla kanë pak shanse të marrin ndonjë mandat nëpër qarqe, ku përqindja prag e marrjes së mandatit është e lartë (vetëm PSD-ja e Doshit duket se i ka të sigurta 2 mandate në Qarkun Shkodër).
Shpresa e fundit për partitë e përçara të vogla mbetet kryeqarku Tiranë, ku në lojë janë plot 37 mandate. Nga sondazhi që zhvillova së fundmi për JAVANEËS në Qarkun Tiranë, rezultoi se partitë e vogla do të kishin marrë 5 mandate, në qoftë se zgjedhjet do të ishin zhvilluar sot. Ndërkohë, PSD-ja e Doshit dhe koalicioni Shehi-Alibeaj-Basha ishin afër mandatit. Por mbetet të shihet në sondazhet e ardhshme se sa do të ndikojnë zënkat mes partive të vogla…
Në qoftë se partitë e reja aktuale, ashtu si paraardhëset e tyre në zgjedhje të mëparshme parlamentare, nuk arrijnë të marrin mandate as në Qarkun Tiranë, 140 mandatet e Shqipërisë do të ndahen thjesht me PS-së, PD-së dhe PSD-së. Pra fusha do të mbetet e hapur për PS-në që të realizojë objektivin e saj të 84 mandateve. Sepse ajo ka sot vetëm brenda Shqipërisë një epërsi prej pothuaj 300 mijë votash ndaj rivales kryesore PD. Për të mos llogaritur se sa epërsi mund të ketë tek votat e emigrantëve, për të cilët është angazhuar i gjithë aparti elektoral i PS-së…