Ballina Ekonomia Çfarë përmban programi i ri i kreditimit të bizneseve?/ Nga normat e...

Çfarë përmban programi i ri i kreditimit të bizneseve?/ Nga normat e ulëta të interesit, te mbulimi i tyre me garanci shtetërore

46
0

Pavarësisht se bujqësia punëson rreth 1/3 e forcës punëtore të vendit dhe gjeneron rreth 20% të prodhimit kombëtar, bizneset e këtij sektori nuk kanë akses të mjaftueshëm në financim. Arsyet e aksesit të kufizuar në kredi janë kostoja relativisht e lartë e kredisë bankare, e cila lidhet me mungesën e historikut, të kolateralit dhe të ekspertizës financiare të bizneseve, elemente këto të cilat rritin çmimin e kredisë.

Programi i ri i Bankës së Shqipërisë synon të përmirësojë aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në kredi, nëpërmjet uljes të kostos së fondeve të cilat bankat përdorin për kreditimin e tyre. Programi do të ketë një fond total prej 25 miliardë lekësh. Bankat tregtare do i marrin këto fonde me normë të ulët interesi nga Banka e Shqipërisë, të cilat do i përdorin më pas për të dhënë kredi sërish me normë të ulët interesi për bizneset e këtij sektori.

Programi është i orientuar drejt mbështetjes së investimeve që përfshijnë asetet fizike dhe platforma teknologjike, të cilat shërbejnë për të rritur kapacitetin prodhues ose efiçiencën operacionale të bizneseve në bujqësi, si dhe rifinancimin e kredive ekzistuese të cilat shërbejnë për investime në asete fizike ose platforma teknologjike.

Një bankë mund të japë maksimumi 25 milionë lekë kredi për një biznes në bujqësi. Sektori bankar mund të japë kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në kuadër të këtij programi me një normë interesi vjetore jo më të madhe se 3.5% në vit, ky do të jetë tavani maksimal për kreditë e disbursuara.

Në rastin e garantimit të këtyre kredive me garanci shtetërore, të cilat mbulojnë 15 – 35% të rrezikut të kreditit, 35 – 55% të rrezikut të kreditit, dhe 55 – 75% të rrezikut të kreditit, tavanet e çmimit të kredisë do të shkojnë respektivisht në 3%, 2.5% dhe 2% për pjesën e mbetur të programit./Scan TV