Përgatitja e infrastrukturës për zgjedhjet e 11 majit ishin në fokus të takimit të Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në Gjirokastër me prefektët e qarqeve. Në fjalën e tij pas takimit ministri theksoi se në takim u diskutuan të gjitha përgjegjësitë që Prefektët e Qarqeve duhet të marrin në zbatim të ligjit si dhe Kodit Zgjedhor. Sipas ministrit deri më tani janë rreth 100 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë regjistruar në platformën e KQZ për zgjedhjet e 11 majit.
“Sot në vijim të takimeve që kemi periodikisht me Prefektët e Qarkut, kemi bërë një takim në Gjirokastër ku kemi biseduar për të gjitha masat e marra dhe koordinimin për përgatitjen dhe ngritjen e infrastrukturës për zgjedhjet e 11 majit. Kemi diskutuar në detaje të gjitha përgjegjësitë që Prefektët e Qarqeve duhet të marrin në zbatim të ligjit si dhe Kodit Zgjedhor. Aktualisht janë hartuar të gjithë planet e masave. Prefektët e qarqeve në bashkëpunim me Bashkitë, Policinë e Shtetit do të jenë në gjendje për të ngritur infrastrukturën dhe planifikuar në mënyrë të rregullt zgjedhjet e 11 majit 2025. Aktualisht kemi rreth 100 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë regjistruar në platformën e KQZ për zgjedhjet e 11 majit”.
Sa i përket votës së Diasporës ministri Hoxha theksoi se qeveria miratoi vendimin për zgjatjen e afateve të vlefshmërinë kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.
“Për sa i përket votës së diasporës, Qeveria Shqiptare miratoi p/vendimin ditën e mërkurë, ku të gjithë shtetasve shqiptarë të cilëve u kishte përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e 11 majit. Kjo vlefshmëri është zgjatur deri në datën 31 maj 2025”.