Ballina Kulturë Qendra Kombëtare e Kinematografisë reagon pas ankesave të kineastëve në ministrinë e...

Qendra Kombëtare e Kinematografisë reagon pas ankesave të kineastëve në ministrinë e Kulturës për keqmenaxhim buxheti dhe favorizime klienteliste

34
0

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka reaguar këtë të premte (7 shkurt 2025) lidhur me ankesën e komunitetit të kineastëve, të cilët përmes një letre dërguar Ministrisë së Kulturës, nënvizojnë se ky institucion, me në krye Eol Çashkun, ka bërë shkelje të rënda ligjore dhe se duhet të merren masa.

Reagimi i QKK-së:

Së pari, në lidhje me kërkesën tuaj që, QKK të zhvillojë një takim me kryetarët e shoqatave, brenda datës 31 janar 2025, ju bëjmë me dije se, një takim i tillë është realizuar më datë 19 dhjetor 2024, me kërkesë të tyre. Për më tepër, që nga dita e emërimit të Kryetarit të QKK-së, Z. Eol Çashku, më 7 mars 2024, janë realizuar disa takime të veçanta, me secalin kryetar të shoqatave të kineastëve, përfshirë edhe ata të cilët nuk e kanë nënshkruar këtë ankesë, dhe përfaqësojnë pjesën dërrmuese të komunitetit të kineastëve.

Së dyti, shqetësimi kryesor i tyre, në atë takim, ishte mungesa për një kohë të gjatë të një thirrjeje për filmat artistik me metrazh të gjatë, vepër e parë dhe e dytë. Ky shqetësim është adresuar tashmë, pasi thirrja për vepër të parë dhe të dytë është njoftuar në faqen zyrtare të internetit të QKK-së, si dhe rrjetet kryesore sociale: Facebook, Instagram, Linkedin dhe X, më datë 28 janar 2025, dhe përfundon më 28 shkurt 2025. Në vitin 2024 është hapur thirrja për filma artistikë me metrazh të gjatë pas një mungesë 3-vjeçare. Në këtë thirrje të vitit 2024 kanë fituar dy projekte.

1. Në lidhje me rekrutimet në administratën e QKK-së, jo vetëm janë zbatuar të gjitha kërkesat e Kodit të Punë, madje është shkuar më tej me transparencën duke zbatuar edhe procedurat e thirrjes publike, janë intervistuar kandidaturat që plotësonin kriteret, si dhe përzgjedhja është bërë në mënyrë kolegjiale me komision, megjithëse kjo nuk përbën detyrim në bazë të Kodit të Punës. Ky proces është realizuar për herë të parë në QKK dhe është e verifikueshme se në të shkuarën ky nivel transparence nuk ka ekzistuar.

2. Në lidhje me disa dispozita të rregullores së përgjithshme të mbështetjes financiare dhe lejeve, të vitit 2024, të ndryshuar, theksojmë se, kriteret e vendosura në të janë së pari, detyrim nga ligji për kinematografinë, siç përcaktohet në pikën 7 të nenit 4, si dhe ato janë marrë nga eksperiencat më të mira dhe kuadrit rregullator të strukturave homologe të QKK-së në Bashkimin Evropian. Për më tepër, pika 2 e nenit 4 të ligjit të kinematografisë sanksionon shprehimisht se, QKK shpërndan fondin për projektet që përmbushin kërkesat e rregullores për prodhimin dhe shpërndarjen e filmit dhe që kanë vlera cilësore dhe interes kulturor kombëtar. Për pasojë, rregullorja në fjalë e ka respektuar rigorozisht këtë parim. Edhe kjo është realizuar për herë të parë.

3. Përpjekja për të kërkuar zbatimin e plotë dhe rigoroz të nenit 5, të ligjit për kinematografinë do të vazhdojë me këmbëngulje nga ana e QKK-së. Është parim i shtetit të së drejtës zbatimi korrekt i ligjit, aq më tepër nga një institucion i rëndësishëm dhe qendror, siç është Ministria e Financave. Rezulton se, në të shkuarën, gjysma e dytë e fjalisë së parë të nenit 5, të ligjit për kinematografinë, nuk është zbatuar kurrë, mëgjithëse auditet e kryera, si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ashtu edhe auditi i brendshëm i Ministrisë së Kulturës kanë lënë rekomandime me shkrim për QKK-në për të negociuar me Ministrinë e Financave lidhur me zbatimin e kësaj dispozite.

Në lidhje me mbartjen e fondeve në bankat e nivelit të dytë, sjellim në vëmendje se, kjo gjë është rregulluar nga ligji nr.25/2018, për kontabilitetin, udhëzimi nr. 8, datë 9.3.2018 I Ministrit të Financave, si dhe Standardet Kombëtare të Kontabilitetit SKK2, ndaj mendojmë se nuk ka vend për komente të mëtejshme.

4. Në lidhje me pretendimin e mungesës së konkurrencës, sjellim në vëmendjen tuaj se, ai është krejtësisht i pasaktë. Statistikat lidhur me sasinë e projekteve të financuara, si dhe shumat e përgjithshme të financimit për çdo kategori, gjenden në URL-në: https://qkk.al/raporte-mbi-veprimtarine-vjetore-te-qkk/raport-mbi-veprimtarine-vjetore-2024/, faqe 7.

Shënojmë se, nga 52 projekte, gjithsej, të paraqitura për konkurim fituan të drejtën për financim 34 projekte. Kujtojmë se, vendimet janë marrë nga KMP-të dhe janë miratuar nga Kryetari i QKK-së pa rezervë.

5. Në lidhje me pretendimin se, ka pasur vonesa të pajustifikuara në hapjen e konkurseve për filmat artistikë vepër e parë dhe e dytë, që prej 4 vitesh, sjellim në vëmendjen tuaj se, Kryetari i QKK-së, Z. Eol Çashku, është emëruar në detyrë më 7 mars 2024. Pra, ai ende nuk ka mbushur 1 vit në detyrë. Rrjedhimisht, ai nuk mban përgjegjësi për periudhën përpara emërimit të tij. Gjithashtu, në 10 mujorin e parë, të detyrës së tij, është hapur thirrja për konkurrim me projekte për filma artistikë me metrazh të gjatë, vepër e parë dhe e dytë. Njoftimi ështe publikuar më 28 janar 2025, në faqen zyrtare të QKK-së si dhe rrjetet sociale. Kalendari i thirrjeve për konkurrim është publikuar, gjithashtu, në faqen zyrtare të QKK-së, si dhe rrjetet sociale, më datë 27 janar 2025, pasi QKK kërkoi dhe mori konfirmim zyrtar nga ana e KQZ-së se, kjo veprimtari nuk përbënte kundravajtje ndaj nenit 92 të Kodit Zgjedhor. Tashmë, kjo është çështje e zgjidhur.

6. Prioriteti aktual është zbatimi i plotë dhe korrekt i ligjeve dhe akteve nënligjore për kinematografinë, në ndryshim nga e shkuara. Shqipëria prej vitesh i ka avantazhet fiskale.

Sektori i artit dhe i kulturës është i përjashtuar nga TVSH-ja. Ndërkohë, shtëpitë kinematografike janë të përjashtuara edhe nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës, edhe nga prokurimi publik. Kjo gjë e bën pashmangmërisht, vendin tonë, tërheqës për produksionet e huaja duke bërë një skemë kthimi të taksave krejtësisht të panevojshëm duke qënë se, shteti nuk i mbledh këto taksa. Në dijeni të faktit që, zbatimi i kuadrit ligjor, ka qënë i mangët në të shkuarën, QKK, për herë të parë, ka dërguar pranë Ministrisë së Financave, listën e shtëpive kinematografike të regjistruara pranë saj, nga viti 2019 deri në vitin 2024, të cilat, përjashtohen nga tatimi i fitimit. Gjithashtu, sikundër janë informuar të gjithë kineastët, QKK është e gatshme të mbështesë kërkesat e tyre të ligjshme, drejtuar organeve tatimore lidhur me përjashtimin nga TVSH.

7. Në lidhje me deklarimin e fondeve në dispozicion për çdo thirrje, QKK nuk e vlerëson të dobishme shpalljen paraprake të tyre, sepse kjo do të kufizonte fleksibilitetin në shpërndarjen e tyre dhe mund të krijonte pritshmëri të gabuara. Ky model garanton një konkurrencë të drejtë, duke u fokusuar tek cilësia e projekteve dhe jo tek kufizimet financiare të paracaktuara. Transparenca mbetet e garantuar, pasi fondet dhe vendimet për shpërndarjen e tyre, bëhen publike, pas përfundimit të procesit të vlerësimit. Edhe kjo kërkesë e kryetarëve të shoqatave përbën ndërhyrje në atributet që ligjet i njohin QKK-së.

8. Pretendimi për mungesën e një kalendari të qartë dhe vonesa në hapjen e thirrjeve tashmë është adresuar, nën shembullin e qendrave homologe evropiane.

9. Afatet e parashikuara në rregullore janë realiste, në raport me volumin e dosjeve të projekteve aplikuese (dosjet e projekteve të ndryshme kinematografike, dokumentarit dhe filmit të shkurtër nuk janë aq voluminoze sa ato të metrazheve të gjata), dhe nuk kanë sjellë asnjë pasojë të dëmshme në sasinë dhe cilësinë e projekteve. Gjithashtu, kalendari vjetor i shpallur i vjen në ndihmë aplikantëve.

10. Eshtë fakt i njohur botërisht që, shumica e filmave të financuara nga QKK, nga viti 1997, me gjithë mundësinë e lirisë për t’i qarkulluar dhe për të konkuruar me to jashtë vendit,bvijojnë të mbeten stok. Kështu që, nuk qëndron pretendimi i kryetarëve të shoqatave se, konkurojnë me shumë sakrifica në botë. Ndërkohë, kineastët shqiptarë deri në vitet ’90 nuk e kishin mundësinë për të shfaqur dhe konkuruar me filmat e tyre jashtë vendit, megjithëse atobvijojnë të kenë kërkesë e shikueshmëri të lartë edhe në ditët e sotme, brenda dhe jashtë vendit.

Këto të dhëna janë marrë nga vetë producentët.

11. Në lidhje me ndryshimin e vendimit të KMP-së për projektet e kategorisë së koproduksionit në pakicë, sqarojmë se, nuk ka asnjë shkelje të paragrafit të parë dhe të dytë, të nenit 9, të ligjit “për kinematografinë”, aq më pak flagrante. Dispozita në fjalë ka të bëjë me situatën kur qëndrimet e Kryetarit të QKK-së dhe atyre të KMP-së janë të ndryshme. Në rastin në fjalë, nuk ka pasur asnjë qëndrim të ndryshëm. Çdo akt administrativ lejohet të ndryshohet, sipas nenit 144 të Kodit të Procedurave Administrative.

12. Në lidhje me vendimet që pretendohet se janë të dublikuara, sqarojmë se, ato janë korrigjuar vetëm për gabime materiale. Korrigjimi i gabimeve të tilla parashikohet dhe lejohet nga neni 112 i Kodit të Procedurave Administrative. Nuk ka asnjë vend, aq më tepër, për pavlefshmëri.

13. Në lidhje me vendimmarrjen në konflikt të interesit të një antari të KMP-së, sqarojmë se, ky antar është propozuar nga një prej shoqatave të kineastëve, kryetari i së cilës, ka nënshkruar ankimin në fjalë. Gjithsesi, ky antar ka nënshkruar deklaratën, se nuk gjendet në konflikt interesi, si dhe e ka të parashikuar në kontratë që duhet të tërhiqet në rast konflikti. Përgjegjësia është individuale. Thënë sa më lart, QKK i është drejtuar zyrtarisht ILDKPI.

14. Në lidhje me pretendimin se, KMP e filmit dokumentar, të animuar dhe projekteve të ndryshme, ka marrë dy vendime, në një datë, sqarojmë se, vendimmarrja e KMP-së është autonome. Roli i administratës së QKK-së ka natyrë ndihmëse. KMP-ja ka të drejtë të reflektojë vendimmarrjen e saj në një akt administrativ ose në disa akte administrative.

15. Në lidhje me pretendimin se, në muajin dhjetor 2024 disa projekte kanë kaluar direkt në KMP, pa kaluar më parë filtrin e KPL-së, sqarojmë se, çdo vendimmarrje e QKK-së ka qënë plotësisht e ligjshme dhe në interes të komunitetit.

 16. Në lidhje me pretendimin se, antarëve të KMP-së u janë vendosur në dispozicion materialet e dosjeve të aplikimit 3 ditë përpara mbledhjes, dhe jo 10, sikundër kërkon rregullorja, QKK siguron se, informacioni është i pasaktë. Për më tepër, nuk ka pasur asnjë ankesë për këtë nga antarët e KMP-së, të cilët, e kanë kryer detyrën e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm.

17. Në lidhje me pretendimet për dy shkelje të rregulloreve, sqarojmë se, QKK i ka adresuar këto pasaktësi, duke larguar nga detyra nëpunësit përgjegjës për këto akte.

Të nderuar, Siç ju kam informuar në emailin tim të datës 30 Janar 2025, që prej muajit tetor 2024, QKK ndodhet nën presione të paarsyeshme dhe tendencioze, të cilat, kanë për qëllim pengimin e ushtrimit të detyrave dhe veprimtarisë ligjore të institucionit përmes manipulimit, shpifjeve dhe gjysmë të vërtetave. Këto të fundit, të bëra publikisht, dhe drejtuar autoriteteve shtetërore.

Për sa na takon dhe me përgjegjësi të plotë ligjore pohojmë se, situata në QKK nuk është aspak kritike, pavarësisht sulmeve nga individë të caktuar. Që prej 10 muajsh po përpiqemi të zbatojmë plotësisht dhe me përpikmëri kuadrin ligjor për kinematografinë dhe audiovizualin në fuqi, në dobi të komunitetit dhe interesit publik. Lidhur me gjithë sa më lart, vlerësojmë se, çështjet e ngritura në ankesën drejtuar MEKI, ose janë adresuar plotësisht tashmë, ose nuk qëndrojnë.