Ballina Rajoni ‘Duam drejtësi për përplasjen e trenave’, protestë e fuqishme studentore në Athinë

‘Duam drejtësi për përplasjen e trenave’, protestë e fuqishme studentore në Athinë

31
0

Mijëra studentë grekë morën pjesë në protesta masive në Athinë dhe 30 qytete të tjera të Greqisë, duke kërkuar drejtësi për tragjedinë e përplasjeve të trenave në vitin 2023, ku humbën jetën 57 persona, shumica prej të cilëve studentë. Protestuesit mbajnë pankarta me thirrjen “Unë nuk kam oksigjen”, duke iu referuar fjalëve të fundit të një pasagjeri që vdiq në aksident.

Familjet e viktimave akuzojnë autoritetet se po përpiqen të mbulojnë provat dhe kërkojnë drejtësi për ngjarjen tragjike. Ata thonë se 30 persona u vranë nga shpërthimi dhe zjarri që shpërtheu pas përplasjes së trenave, për shkak të një lënde djegëse të transportuar ilegalisht nga një prej trenave. Dy vjet pas ngjarjes, ende nuk ka një konkluzion zyrtar për shkakun e shpërthimit.

Protestat janë shtrirë në qytete të mëdha si Athinë, Selanik, Larisa, Patra dhe të tjera, ku studentët kërkuan zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë dhe kërkuan llogaridhënie nga autoritetet dhe qeveria. Ata kritikuan qeverinë e Kryeministrit Mitsotakis për politikën që, sipas tyre, vendos fitimet mbi jetët e njerëzve.

Hetimi për aksidentin është ende në vazhdim, me dhjetëra persona të akuzuar, përfshirë një drejtues stacioni. Megjithatë, gjyqi ende nuk ka filluar. Protestat janë intensifikuar pas një proteste kombëtare të organizuar nga prindërit e viktimave, duke shtuar presion mbi qeverinë për të nxjerrë drejtësi dhe për të përshpejtuar procesin gjyqësor.