Ballina Kosovë Ndodh për herë të parë/ Emigrantët nga Kosova votojnë sot në ambasadat...

Ndodh për herë të parë/ Emigrantët nga Kosova votojnë sot në ambasadat e tyre

40
0

Emigrantët e Kosovës votojnë sot ( e shtunë 8 shkurt 2025 ), në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, në vendet ku ata jetojnë, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë e Kosovës që do të realizohet një proces i tillë, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Përfaqësitë diplomatike janë kthyer për një ditë në qendra votimi për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe që kanë të drejtë vote.

Votimi po realizohet vetëm nga ata që janë regjistruar paraprakisht. Votimi organizohet në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në SHBA dhe Kanada. Mbi 20,000 shtetas të Kosovës, të cilët kanë zgjedhur këtë metodë votimi, mund të votojnë deri në orën 18:00. Ky proces i votimit për mërgimtarët po zhvillohet në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës. Votuesit jashtë Kosovës identifikohen me dokumentin e identifikimit të lëshuar nga autoritetet e Kosovës, si letërnjoftimi, pasaporta, ose patenta e shoferit.

Për të votuar jashtë Kosovës janë regjistruar rreth 105,000 shtetas, nga të cilët 20,324 janë regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, ndërsa rreth 60,000 të tjerë për të dërguar fletëvotime në kutitë postare të hapura nëpër botë. Pjesa tjetër do të dërgojë pakon me fletëvotime në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të garojnë 28 forca politike, duke përfshirë 20 parti, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat të pavarur.

Pritet që rreth 2 milionë qytetarë të votojnë në këto zgjedhje, ndërkohë që KQZ ka shtypur 1,752,650 fletëvotime. Kjo është një shifër më e vogël se numri i votuesve, për shkak të historisë së daljes të ulët në zgjedhje në vitet e kaluara, që ka qenë gjithmonë nën 50%.