Heshtja që flet
Nga Sevdail Hyseni
Në mes të natës, n’errësirë të plotë,
Një heshtje zgjedhore ra sikur mort.
Po ç’dreqin heshtjen, kush e beson?
Veç në letër, në realitet s’ekziston!
Nga sheshi zbresin, burrat në oda,
Aty ku vendosin leku, gota e vota.
Një thasë me miell, dy litra naftë,
– Me ne o votues, e keni më gjatë!
Për militantët është thënë çdo herë,
Heshtja zgjedhore, s’ka asnjë vlerë.
Kot Ligji ndalon, kush s’e dëgjon,
Vota s’ka çmim, por çmimi fiton!
Ashtu kalojnë zgjedhjet mandatare,
Heshtja që flet, po duket ashiqare,
Drejtësia rri heshtur, si nata mbi varr,
Kur blihen e shiten, votat si n’pazar.
Të dielën votimi, të hënën numërimi,
Njërin e kap gëzimi, tjetrin hidhërimi,
Mbush e zbraz kutitë sikur me biskota,
Ka me na zënë vera, tu numëruar vota!