Rama: Nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, jam një mik dhe i respektoj të gjithë
Teksa ndodhet në Madrid për një vizitë dy ditore me një agjendë të ngjeshur takimesh dhe konferencash, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për një sërë çështjesh, që nga armëpushimi në Gaza, politika ndërkombëtare e Trump për bllokimin e fondeve, mbylljen e TikTok në Shqipëri si dhe ka thyer heshtjen për zgjedhjet që do mbahen nesër në Kosovë.
I pyetur se çfarë rezultatesh pret nga këto zgjedhje, Rama thotë se nuk ka asnjë preferencë me fituesin, pasi me të gjithë kandidatët ka një marrëdhënie të mirë.
“Kosova është një vend demokratik, i gjallë dhe i larmishëm. Dhe, si të gjitha vendet e Ballkanit, lufton me gjithë pasion dhe shumë zhurmë, por kjo është në rregull. I uroj për mirë, por nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë”.