Ballina Dossier Dëshmia në hetuesi e ish-trajnerit të volejbollit të “Dinamos”: Feçor Shehu, që...

Dëshmia në hetuesi e ish-trajnerit të volejbollit të “Dinamos”: Feçor Shehu, që dinte interesimet e Skënderit për Silva Turdiun, s’më ka thënë në ndonjë rast, që unë ta pengoja këtë gjë, madje vetë Feçori…

98
0

Nga Dashnor Kaloçi 

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar), si në opinionin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm gjithashtu!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj., ku në procesin hetimor dhe gjyqin e tyre, ishin plot 275 dëshmitarë.

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, që në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

(Vijon nga numrat e kaluar)

PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË KRESHNIK TARTARIT, ISH-TRAJNER I EKIPIT TË VOLEJBOLLIT “DINAMO” PËR FEMRA, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, LUAN BEGA DHE AVNI DOÇI

PROÇES – VERBAL

Dëshmie

Tiranë, më 29 dhjetor 1982

Ne, Luan Bega dhe Avni Doçi, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, muarrëm në pyetje me cilësinë e dëshmitarit, Kreshnik Tartarin, i biri i Nimetit dhe Adiles, lindur në Tiranë më 1943, me arsim të lartë, i paorganizuar në Parti, i padënuar ndonjëherë, mësues i Edukimit Fizik pranë shkollës së mesme Ekonomike në Tiranë, banues në Lagjen Nr. 5, Rruga “Reshit Çollaku”, Pallati 10, Apartamenti Nr. 2, Tiranë.

Hetuesit më paralajmëruan për përgjegjësinë penale që kam, në rast dëshmie të rreme, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH

Dëshmitari

Kreshnik Tartari

Dëshmitari mbasi u pyet, deklaron: Unë kam qenë trajner i ekipit të volejbollit të femrave pranë Klubit Sportiv “Dinamo” nga viti 1972 deri në vitin 1982.

Mesa më kujtohet, në muajin janar të vitit 1981, së bashku me ekipin, kemi qenë për të zhvilluar një ndeshje volejbolli në qytetin Shverin të Gjermaninë Lindore. Në këtë qytet, ka ardhur nga Suedia, Skënder Shehu, djali i Mehmet Shehut, i cili na tha se kishte ardhur për të parë ndeshjen e volejbollit që do të zhvillonim.

Skënder Shehu, ka ardhur në Shverin i shoqëruar nga Gani Kodra, një punonjës i ambasadës së RPSSH në Suedi, dhe një shofer (emrat e të cilëve nuk më kujtohen). Në Shverin unë, kam filluar muhabet për herë të parë me Skënder Shehun, të cilin deri atëherë e njihja si fytyrë dhe kisha vetëm një salutim me të.

Gjatë kohës që qëndruam në Shverin, Skënderi nuk la ndonjë përshtypje se interesohej për Silva Turdiun, mbasi pothuajse u soll njëlloj me gjithë pjesëtarët e ekipit, në çdo rast që u shoqërua me ne.

Në Shverin, kemi biseduar për ekipin e volejbollisteve të “Dinamos” dhe ramë dakord që të interesoheshin Skënderi dhe ai shoku që e shoqëronte (punonjës i ambasadës sonë në Suedi), për të krijuar mundësi që ekipi jonë të zhvillonte takime miqësore me ndonjë ekip volejbolli suedez, por shtova që të bënin kërkesë zyrtare, klubet suedeze.

Mbasi ishim kthyer nga Shverini, rreth një apo dy muaj më vonë, unë kam takuar Qazim Turdiun, babain e Silvës, dhe ai më tha që vajzës së tij, i kishin dërguar disa fotografi ku ajo kishte dalë me ekipin në Shverin, dhe si numër kishte më shumë se shoqet. Unë di se këto fotografi, i kishte dërguar Skënder Shehu nga Suedia, sepse m’i ka sjellë vëllai i tij i vogël (emrin nuk ja di) dhe vetë ja u kam shpërndarë vajzave të ekipit.

Qazimi në këtë rast më tha se para se të shkonim në Suedi, Skënder Shehu kishte ndaluar Silvën, për të biseduar me të, por Silva nuk kishte pranuar. Mesa më kujtohet tani, në muajin maj të 1981, ditën që po mbyllej kampionati, në Pallatin e Sportit “Partizani”, ka qenë edhe Skënder Shehu, po nuk më kujtohet se me kë shoqërohej.

Me Skënderin bisedova përsëri gjëra të zakonshme rreth ekipit, dhe fitoret e tij në kampionat. Kjo bisedë, ishte e shkurtër. Në muajin korrik 1981, unë së bashku me ekipin, ishim në Shtëpinë e Pushimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Durrës. Gjatë kësaj periudhe, që ishte në 15 ditëshin e parë të muajit, Skënder Shehu vinte shpesh dhe qëndronte pranë ekipit.

Duke dëgjuar pëshpëritje, lidhur me ardhjet e tij të shpeshta pranë ekipit, e pyeta Skënderin, se përse vinte kaq shpesh, se po binte në sy. Skënderi më tha se interesohej për Silva Turdiun, nëse kishte të bënte më parë me ndonjë djalë. Unë i thashë jo, dhe e pyeta njëkohësisht, nëse kishte biseduar me prindërit para se t’i hynte këtij interesimi, sepse Turdinjtë, kanë diçka në biografi.

Skënderi më foli rëndë, duke më thënë se secili ka punën e vet, dhe më dha të kuptohet, se nuk duhet të pyesja më. Lidhur me anën biografike të Silva Turdiut, unë kisha dëgjuar se kishte diçka jo të mirë nga i ati dhe para se të aktivizohej Silva me ekipin e të rriturave, është marrë dhe miratimi i Feçor Shehut për të. Por kujtoj se në vitin 1976, Feçori më pyeti se; “E kujt nga Turdinjtë është Silva, e Qazimit”?!

Pastaj e miratoi marrjen e saj në ekip. Nga fundi i muajit Korrik ose fillimi i muajit gusht, duke parë se Skënderi filloi të takohej me Silvën dhe të bisedonte, kam shkuar në shtëpinë e saj dhe kam pyetur Qazim Turdiun, lidhur me biografinë e familjes së tij. Qazimi më përmendi rreth 7 persona me mbiemër Turdiu, Pipa, etj. Këta ishin një pjesë të arratisur e, një pjesë të dënuar politikë.

Këto emra unë i shënova në një copë letër dhe u largova. Unë tek Qazim Turdiu, kam shkuar mbasi kisha biseduar më parë me Skënder Shehun, të cilin e pyeta nëse e dinte biografinë e tyre. Dhe ai më tha se; çfarë kanë ata?! Gjatë muajit gusht, mbasi mora nga Qazim Turdiu listën që përmenda, e ja tregova atë Skënder Shehut dhe ai mbasi e pa, ma mori.

Unë duke parë se Skënderi edhe mbas këtij veprimi, vazhdonte të interesohej për Silvën, e ta takonte atë, e pyeta përsëri Skënderin nëse kishte biseduar me njeri për këtë punë. Skënderi më tha se; babai i tij Mehmeti, kishte pyetur Feçor Shehun që ishte ministër i Punëve të Brendshme atëherë, dhe Feçori i kishte folur fjalë të mira për Silvën, por Skënderi shtoi se Feçori i kishte thënë se, nëse ai do të kishte djalë, për të marrë nuse, atëherë do të pyeste Mehmet Shehun, si vëlla të madh që e kishte.

Pas kësaj përgjigje të Skënderit, nuk e kam pyetur më atë se ç’thonin prindërit e tij. Ndërsa Qazim Turdiu, më ka thënë se ishte i shqetësuar nëse e dinin prindërit e Skënderit, që ky i fundit donte të fejohet me Silvën, dhe se vetë Qazimi, nuk do të besonte t’ja thoshte dikush tjetër këtë gjë, në rast se atë nuk ja thoshte vetë Mehmet Shehu.

Mua më ka bërë përshtypje fakti që Skënder Shehu, gjatë muajve korrik dhe gusht 1981, bëri përpjekje të shumta dhe arriti të fejohej me Silva Turdiun, pa u njohur më parë me të. Feçor Shehu, që dinte interesimet e Skënder Shehut për Silva Turdiun, nuk më ka thënë në ndonjë rast, që unë ta pengoja këtë gjë.

Bile vetë Feçori, e ka uruar Silvën, për fejesën me Skënder Shehun. Pas prishjes së fejesës, Skënder Shehu më ka thënë se Silva, duhet të trajtohej si më parë në Klubin Sportiv “Dinamo”.

Sa thashë janë të vërteta, dhe mbasi i lexoj e i gjej të shkruara drejt, i firmos.

Dëshmitari                                                                      Hetuesit

Kreshnik Tartari                                                         Avni Doçi, Luan Bega

Memorie.al