Ballina Aktualitet Ekosistemi në Shqipëri: Hapet Qendra e re Komunitare e Inovacionit dhe Teknologjisë

Ekosistemi në Shqipëri: Hapet Qendra e re Komunitare e Inovacionit dhe Teknologjisë

43
0

Instituti Europian i Inovacionit dhe Teknologjisë dhe EU4Innovation hapën sot në Europe House, qendrën e re komunitare të EIT në Shqipëri. Kjo qendër që do të forcojë bashkëpunimin midis biznesit, arsimit dhe kërkimit shkencor, duke i ndërlidhur me ekosistemin më të madh të inovacionit në Evropë është e para e këtij lloji në Shqipëri. Talentet dhe sipërmarrësit vendas do të përfitojnë përmes kësaj qendri nga mundësitë që komuniteti i EIT ofron në arsim, sipërmarrje dhe inovacion.

Në eventin e hapjes ishin të pranishëm zyrtarë të lartë kombëtar, rajonal dhe europianë.

Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr theksoi në fjalën e tij se “BE mbështet në mënyrë aktive ekosistemin e inovacionit në Shqipëri përmes programit tonë EU4Innovation. Sot, bëjmë një hap tjetër të rëndësishëm me hapjen e qendrës së parë EIT Community Hub në Shqipëri, e cila do të shërbejë si një urë lidhëse midis ekosistemeve të inovacionit shqiptar dhe atij evropian, duke nxitur bashkëpunimin mes bizneseve, institucioneve arsimore dhe studiuesve. EIT Community Hub në Shqipëri – rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer të Ekipit të Evropës – do të rrisë më tej potencialin e inovacionit të Shqipërisë. Përmes sisteme moderrne të arsimit dhe trajnimit, Shqipëria do të jetë në gjendje të trajtojë një nga sfidat e saj më të mëdha: ikjen e trurit. BE-ja është e përkushtuar të kontribuojë në adresimin e kësaj sfide duke mbështetur vendin për të përmirësuar cilësinë e arsimit, duke pajisur studentët me aftësitë përkatëse dhe duke siguruar që ata të kenë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri”.

Drejtori i EIT, z. Martin Kern, në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi BE-në dhe EU4Innovation për këtë iniciativë, duke theksuar: “Qendra e re e Komunitetit EIT në Shqipëri do të përfaqësojë të gjitha Komunitetet e Dijes dhe Inovacionit (KIC) të EIT dhe do të fokusohet në tërheqjen dhe angazhimin e një numri në rritje të pjesëmarrësve vendas në aktivitetet e Komunitetit EIT”.

EU4Innovation mbështet krijimin e Qendrës Komunitare të EIT në Shqipëri falë misionit të tij për nxitjen e transformimit ekonomik drejt një ekonomie inovatore dhe të bazuar në njohuri, duke shfrytëzuar kapitalin njerëzor, potencialin sipërmarrës dhe kërkimor të Shqipërisë. Kjo është një ndër shtyllat kryesore të projektit i orientuar drejt inovacionit, aftësive sipërmarrëse me qëllim aftësimin e talenteve, si dhe ndarjen e krijimin e përbashkët të njohurive ndërmjet aktorëve të heliksit të katërfishtë.

EU4Innovation është një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe SIDA e zbatohet nga GIZ Albania dhe Ambasada Suedeze në Shqipëri.

Kjo qendër e re është pjesë e programit të Skemës Rajonale të Inovacionit EIT (EIT RIS), i cili është krijuar për të nxitur inovacionin në Evropë.

Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Suedia po punojnë për të krijuar vende pune në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të një ekonomie inovatore. Projekti shfrytëzon kapitalin njerëzor, potencialin sipërmarrës dhe potencialin kërkimor të Shqipërisë.