Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, publicistin, veprimtarin, politikanin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Bahri Omari (10 shkurt 1889-14 prill 1945).
Bahri Omari lindi në Gjirokastër dhe mësimet e para i mori në vendlindje. Studimet për Shkenca Politike-Administrative i kreu në Stamboll dhe me përfundimin e tyre u caktua nënprefekt i Himarës. Omari pati një kontribut të veçantë në organizimin e çetave për mbrojtjen e territorit shqiptar nga sulmet në jug të andartëve.
Më 1915, Bahri Omari u zhvendos në SHBA ku mori drejtimin e gazetës “Dielli”, organi i shtypit të federatës shqiptare “Vatra”. Në vitin 1919 u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh dy herë deputet i prefekturës së Gjirokastrës në Këshillin Kombëtar, organi legjislativ asokohe, përkatësisht në vitet 1921 dhe 1923. Mbështeti qeverinë e Fan Nolit në vitin 1924.
Me kthimin në pushtet të Ahmet Zogut, Bahri Omari u largua nga Shqipëria dhe bashkohet me opozitën shqiptare në ekzil.
Në vitin 1939 u kthye përsëri në Shqipëri dhe në 1942 u bë pjesë e Ballit Kombëtar dhe u emërua ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë viteve 1943-44.
Me ardhjen e regjimit komunist, Bahri Omari arrestohet dhe dënohet me vdekje nga i ashtëquajturi “Gjyq Special” më 13 prill 1945. U ekzekutua tek Kodra e Priftit në Tiranë. Është dekoruar nga shteti shqiptar me urdhrin “Nderi i Kombit”.