Një 17-vjeçari u kap gjatë një kontrolli në një automjet taksi që udhëtonte nga Fier për në Vlorë. Gjatë kontrollit, në bagazhin e taksisë u gjet një armë zjarri automatike dhe dy krehra.
Dyshohet se i riu po tentonte të shiste armën në qytetin e Vlorës. Policia kishte pasur informacion paraprak për udhëtimin e tij.
Një tjetër individ, 19-vjeçari Ergi Gjini, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin për të siguruar armën. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Gjinit, u gjet një tjetër krehër armë, i cili u sekuestrua si provë materiale. Policia po vazhdon punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rastit. Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.