Ballina Europë Arrestohen 3 shqiptarë në Itali. trafikonin lëndë narkotike me logon e Tiranës

Arrestohen 3 shqiptarë në Itali. trafikonin lëndë narkotike me logon e Tiranës

19
0

Tre shqiptarë kanë rënë në prangat e autoriteteve italiane si të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Dy prej të arrestuarve janë vëlla e motër, të lindur në 1997 e 2004, ndërsa personi i tretë i përket datëlindjes së vitit 1982.

Këta persona kishin fshehur në kamion 172 kilogramë kokainë, teksa prej kohësh kanë qenë nën vëzhgimin e autoriteteve të Bolonjës dhe Modenës.

Autoritetet kanë ndërhyrë në një moment kur shoferi i kamionit (personi i lindur më 1982) i ka dhënë në dorë një zarf të verdhë të rëndë dy personave të tjerë (vëlla e motër).

Tre shqiptarët janë arrestuar në flagrancë ndërsa u sekuestrua e gjithë ngarkresa e kokainës e fshehur në kamion e ndarë në pako gati për tu shitur.

Ajo që ka rënë në sy është përdorimi i logos së skudarës së futbollit të Tiranës “Kf Tirana” në disa prej pakove të kokainës, ndërsa disa të tjera ishin mbështjellë me figura të ndryshme.

Kjo ndarje e pakove të drogës, është një metodë e përdorur vazhdimisht nga grupet e përfshira në tregun e kokainës, për të dalluar se kujt i përkasin sasi dhe ngarkesa të caktuara.