Ballina Opinion Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve (ose kur ‘arti’ frymëzohet nga korrupsioni)

Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve (ose kur ‘arti’ frymëzohet nga korrupsioni)

96
0

Si për të mos mjaftuar analistët gjasme të pavarur që janë bërë gardh në mbrojtje të sistemit, duke mos lënë ekran pa dalë e pa anatemuar e hedhur baltë mbi punën e SPAK dhe të Dumanit, duke e akuzuar atë për arrestime të paligjshme dhe të panevojshme, ajo që ndodhi me çetën e ‘artistëve’, që me sa duket janë ushqyer me çorbën e prishur të korrupsionit, ishte edhe më e neveritshme se gjithçka tjetër.

Ujdia me djallin, në këmbim favorësh e të hollash, të gjeneruara nga një sistem korruptiv që vjedh qytetarët dhe pastron paratë e krimit, e hodh tej maskën e hipokrizisë dhe shpërfaqi fytyrën e vërtetë.

Një çetë e vogël artistësh të vetëshpallur kanë hedhur në erë edhe ato pak dromca besueshmërie në publik, duke u qurravitur pas kangjellave të prokurorisë së posaçme në mbrojtje të një burgosuri si Erion Veliaj, meritat e vetme të të cilit janë vjedhja dhe mashtrimi. Ai do të paguajë me burg atë që ka bërë në kurriz të qytetit, duke pasuruar veten dhe familjen e tij, por turpi i përjetshëm do të mbetet mbi kurtizanët e tij, të blerë me lekët e korrupsionit, që nuk do ta heqin kurrë më nga balli vulën e turpit, që në ditën kur duhet të zgjidhnin mes drejtësisë dhe hajninë, zgjodhën hajninë.

Turmës së artistëve të kapur e të blerë me projekte të financuara nga vjedhja e taksave të qytetarëve, iu bashkua sot edhe Helena Kadare, e veja e shkrimtarit që me ndarjen e tij nga jeta, i shpëtoi këtij degradimi të frikshëm të moralit publik që i rrëmbeu të shoqen, e cila sot kërkoi të ishte në sallën ku po zhvillohej seanca për Veliajn, duke u ulur bashkë me të, në bangën e të akuzuarve.

Kjo shfaqje e shëmtuar, si një demonstrim i degradimit që prodhon në shoqëri një pushtet absolutisht i korruptuar, tregon sa të thella janë metastazat e kësaj të keqeje, shpalosja e turpshme e të cilës shërben si një reflektim për pjesën e shëndetshme të shoqërisë.

Me milionat e vjedhura po përpiqen të na induktojnë në mendje e në shpirt, një përmbysje vlerash, ku hajduti vlerësohet, edhe kur kapet në flagrancë, dhe drejtësia sulmohet sepse bëri detyrën e saj duke arrestuar hajdutin.

Një shoqëri nuk mund të degradonte e gjitha në këtë farë feje. Artistët duhet të ishin në pararojë të shpëtimit dhe të vetëdijësimit. Por me këtë shfaqje të sotme është e qartë se ‘mallkimi’ i konformizmit me të keqen, do t’i shoqërojë gjatë, duke mos i dhënë mundësi të bëjnë preokupi si artistë, por vetëm si servil sahanlëpirës./Alfapress.al