Ballina Ekonomia Tafa, drejtori i 15 milionë eurove sekrete: Shqipëria kampione e Ballkanit në...

Tafa, drejtori i 15 milionë eurove sekrete: Shqipëria kampione e Ballkanit në sigurinë kibernetike

70
0

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike njoftoi se Shqipëria u shpall kampione e sigurisë kibernetike në Ballkan për të dytin vit radhazi. Përmes një deklarate zyrtare, AKSK njoftoi se ekipi i ekspertëve të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kanë fituar sërish vendin e parë në Balkans Live-Fire Cybersecurity Exercise, duke tejkaluar ekipet e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ky sukses vërteton edhe një herë përgatitjen dhe aftësinë e ekipit tonë në zbulimin, mbrojtjen dhe reagimin ndaj kërcënimeve kibernetike në kohë reale. Shqipëria po ndërton një sistem të fortë mbrojtjeje kibernetike dhe ky rezultat është një dëshmi tjetër e përkushtimit të ekspertëve tanë,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Infrastruktura dixhitale e Shqipërisë u shkërrmoq thuajse tërësisht dy vjet më parë pas sulmit nga hackerat irakiane duke i çuar të gjitha shërbimet publike në kolaps për muaj të tërë. Por pavarësisht kësaj, AKSK dhe AKSHI shpallin veten kampionë të ballkanit, dhe më vonë ndoshta edhe të botës për sigurinë kibernetike. Ky është humor i nivelit shumë të lartë.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike drejtohet nga Igli Tafa. Emri i zotit Tafa u bë i njohur për publikun e gjerë për herë të parë kur autorizoi një pagesë sekrete prej 15 milionë eurosh për llogari të kompanisë FIRST. Sipas përshkrimit bëhet fjalë për produkte të inteligjencës artificiale në sigurinë kibernetike, por kjo ishte pagesa e parë në historinë e shtetit shqiptar për të cilën nuk ka tender të publikuar.