Ballina Aktualitet Erozioni nga lumi Vjosa kërcënon 60 hektarë tokë në Novoselë, banorët thirrje...

Erozioni nga lumi Vjosa kërcënon 60 hektarë tokë në Novoselë, banorët thirrje autoriteteve

57
0

Gërryerja e tokave bujqësore nga erozioni i shkaktuar nga lumi Vjosa është një shqetësim i madh për banorët e Novoselës, pasi deri tani janë dëmtuar 60 hektarë tokë. Bordi i Kullimit në Vlorë ka ndërmarrë hapa dhe ka inspektuar situatën në terren. Drejtuesi i Bordit, Valter Hasanaj, ka pranuar se është e nevojshme një projekt i ri për mbrojtjen e tokave nga erozioni dhe ky projekt do t’i dërgohet Ministrisë së Bujqësisë për miratim dhe zbatim. Hasanaj theksoi se ministria ka ndërhyrë edhe në zona të tjera për të luftuar këtë fenomen.

Kryeplaku i fshatit Mifol, Kastriot Çobo, ka deklaruar se gërryerja e tokave ka vazhduar për vite dhe se ndërhyrja është thelbësore për të shmangur përmbytjet dhe dëmet e mëtejshme. Ai ka përmendur se është përballur me burokraci dhe se Ministria i kërkoi të bëjë një projekt për koston, megjithatë ai theksoi se si kryeplak nuk ka njohuri për të realizuar projekte të tillë.

Banorët dhe autoritetet lokale presin që Ministria e Bujqësisë të miratojë sa më shpejt projektin për mbrojtjen nga erozioni dhe pritat lumore, pasi tokat e tyre janë në rrezik nga Vjosa.